5 ARSYE PËR TË SHKUAR TEK KINO

Që prej 8 Marsit të gjithë e kanë vënë re hapjen e një vendi të ri në qytet.

Kino tërhoqi menjëherë vëmendjen për shkak të tematikës së përcaktuar nga vetë emri. Dhe dihet që mes shqiptarëve dhe kinemasë gjithmonë ka patur një ndjenjë të fortë.

Ne të Electronic Beats, sigurisht, nuk mund të mos shkonim për të vizituar sensacionin më të fundit të qytetit dhe pas një studimi të vëmendshëm, nxorëm 5 arsyet përse Kino ishte super i këndshëm!

1. Lë Font

Gjëja e parë që spikat që para se dyert e lokalit të hapen është sigurisht fonti i përzgjedhur. Të kujton një film të vjetër dhe njëkohësisht shumë të ri e bashkëkohor, meqë e vjetra është në modë dhe e reja është e vjetër.

Zgjedhja minimaliste dhe plot shije duket sikur është kryefjala e Kinos në përgjithësi, pasi të njejtën gjë vërejtëm edhe në dekor. Dhe kjo na shpie menjëherë tek arsyeja #2.

2. Poster!

Që në fillim u kuptua që kemi të bëjmë me një vend, i cili luan bukur me nostalgjinë dhe kjo tregohet veçanërisht tek poster-at e eventeve, ku DJ-të prezantohen me fotot e tyre të fëmijërisë.

Kush mund ta mendonte që Mimi dhe Tatu kanë qenë dikur të vegjël? Apo që Lura e ka patur këtë sjellje plot karakter që në adoleshencë? Sepse Ger Kacerja duket që kështu ka qenë gjithmonë, topless dhe me dhëmbët jashtë. 

3. Hapësira me Oh – sa – ngjyra!

Rrallëherë gjen një përzierje kaq të mirë të ngjyrave. Kino e ka mbërthyer esencën e një lokacioni, i cili nuk është thjesht i bukur për t’u parë, por edhe të jep një dorë kur bën fotot në grup apo selfie-t.

Gjithashtu, Kino ndodhet aty ku ka qenë prej shumë vitesh Lizard, ndaj kuptohet që ka një hapësirë tejet të bollshme në dispozicionin e saj. Një tarracë e cila pret diellin për t’u shfrytëzuar më së miri, por edhe një ballinë e cila u kthye në një stacion të bukur miqësor gjatë Street Party-t, janë dy asete goxha tërheqëse, sidomos për ata që nuk kanë qejf të pijnë ngjitur me njëri-tjetrin [heqim rastin e Street Party]. Dhe kjo na dërgon në arsyen e katërt: çfarë do porosisim?

4. Cocktail apo Kafe?

Në Kino gjetëm një variacion të madh pijesh e cocktailesh – nga më tradicionalet e deri tek ato origjinalet e tyre. Gjithashtu, gjatë ditës, mund të konsumohet kafe, çaj e gjithçka tjetër si në një bar të zakonshëm. Phew, sa mirë që ka opsione!

5. Filmat!

E fundit nga rradha, por parësore nga rëndësia!

Kino i kushtohet filmave [d’uuh!], dhe si i tillë është i mbushur me detaje që sjellin ndër mend ikona të ekranit të madh. Por nuk është ky detaji i tij më specifik. Ballina e banakut, e krijuar në stilin e stendave të afishimit të titujve të filmave amerikanë është sigurisht pjesa më e postuar e Kinos.

Ne preferuam shumë “I’ll have what she’s having” nga “When Harry Met Sally”.

Por, edhe kjo e sotmja qenka shumë në temë, nuk mendoni?