5 LIBRAT QË DUHET T’I KENI LEXUAR PATJETËR NË JETË

Festa e së premtes tregoi vërtetë se cilët jemi ne: shpirtra të lirë të cilët jetojnë përmes faqeve [të shtypur apo PDF] të mijëra autorëve që kanë revolucionarizuar mënyrën se si ka rrjedhur historia e shoqërisë. Letërsia nuk është një art në zhdukje, por më emergjent se kurrë për shkak të trendizimit inteligjent që i është bërë në rrjetet sociale dhe përditësimit të saj duke na mundësuar akses virtual në çdo vepër që kërkojmë. Dhe teksa shfletojmë artikujt e shumtë mbi autorët që po vazhdojnë të krijojnë kontroversialitet në ditët e sotme, ne vendosëm t’ju sjellim një listë të shkurtër [dhe ndoshta të parashikueshme] të pesë librave të cilët duhet t’i keni lexuar patjetër në jetë. Nuk jemi bazuar tek klasikët, pasi jemi më të interesuar për ata që i kanë dhënë shoqërisë moderne formën që ne njohim sot.

 

“Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera

Titulli origjinal: Nesnesitelná lehkost bytí

Është pak të thuash që kryevepra e Kunderës është shkruar bukur. “Lehtësia e padurueshme e qenies” tregon jetën e katër personazheve rrugët e të cilëve kryqëzohen, duke treguar në mënyrë tejet interesante historinë e Republikës Çeke përmes problemeve që hasin këto çifte. Libri rrëfen se si njerëzit mund të jenë të errët apo të ndritur dhe i jep tjetër kuptim klasikes “të kundërtat tërhiqen”.

 

“Të vrasësh zogun përqeshës” nga Harper Lee

Titulli origjinal: “To Kill a Mockingbird”

 

Për shumë kohë Harper Lee ka qenë autorja më me influencë në histori me vetëm një libër të botuar! Kjo deri sa Lee publikoi vazhdimin e novelës së famshme në vitin 2015, vetëm pak kohë para se të ndahej nga jeta. “Të vrasësh zogun përqeshës” u botua në vitin 1960 dhe u kthye menjëherë në një klasik të letërsisë. Novela trajton tema si racizmi në Amerikën e Jugut përmes syve të pafajshëm të një vajze të re dhe inteligjente me emrin Jean Louise [“Scout”] Finch. Personazhet ikonike, veçanërisht babai i saj, juristi simpatik dhe i drejtë Atticus Finch, shërbyen si modele për t’u ndjekur dhe ndryshuan perspektivën në Shtetet e Bashkuara në një kohë kur tematika e racizmit ishte plot tension dhe kontroversialitet. “Të vrasësh zogun përqeshës” fitoi çmimin Pulitzer në vitin 1961 dhe u ekranizua në një film që fitoi çmimin Oscar në vitin 1962, duke i dhënë kështu historisë dhe personazheve të saj jetëgjatësi dhe ndikim të mëtejshëm në shoqërinë amerikane.

 

“Getsbi i madh” nga F. Scott Fitzgerald

Titulli origjinal: “The Great Gatsby”

Jo më kot “Getsbi i madh” konsiderohet si vepra më e mirë letrare për t’i prezantuar studentët me artin e leximit kritik, – pra me shumë mundësi e ke lexuar kur ke qenë në shkollë. Novela tregohet nga këndvështrimi i një djali të ri me emrin Nick Carraway i cili porsa është shpërngulur në New York. Ai njihet me një pasanik të ri ekscentrik me emrin Jay Gatsby, i cili jeton pranë shtëpisë së Nick dhe ka një të kaluar misterioze. “Getsbi i madh” jep informacion të brendshëm mbi Epokën e Jazz-it [Jazz Age] të viteve 1920 në historinë e Shteteve të Bashkuara duke kritikuar njëkohësisht idenë e “Ëndrrës Amerikane”. Ndoshta aspekti më i famshëm i novelës është kopertina e saj, një fytyrë depërtuese e projektuar në qiellin e errët të natës, dhe dritat në panoramën e një qyteti që theksojnë akoma më shumë tekstin si simbol kryesor në kompozim [Uuuhhh].

 

“Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel García Márquez.

Titulli Origjinal: “Cien años de soledad

 

Autori kolumbian publikoi veprën e tij më të famshme, “Njëqind vjet vetmi”, në vitin 1967. Novela tregon historinë e shtatë brezave të familjes Buendía dhe ndjek krijimin e qytetit të tyre me emrin Makondo deri në shkatërrimin e tij së bashku me pasardhësit e fundit të kësaj familje. Në një formë fantastike novela eksploron zhanrin e realizmit magjik duke bashkë vendosur trajtimin magjik të gjërave të zakonshme dhe trajtimin e gjërave mistike në mënyrë të zakonshme. Márquez mbështetet tek fuqia e miteve dhe gojëdhënave për të lidhur historinë me kulturën e Amerikës Latine. Autori fitoi çmimin Nobel për letërsinë në vitin 1982, për të gjithë punën dhe kontributin e tij në letërsi, duke veçuar “Njëqind vjet vetmi” si veprën e tij më triumfuese.

“1984” nga George Orwell

Në “1984”, Londra është një qytet i zymtë ku Vëllai i Madh [Big Brother, – ju kujton gjë?] është gjithë kohës duke ju vëzhguar dhe Policët e Mendimit praktikisht mund t’ju lexojnë mendjen. Winston është personazhi kryesor të cili i kanoset një rrezik i madh thjesht për faktin që kujtesa e tij ende funksionon. I tërhequr drejt një historie të pamundur dashurie, Winston gjen kurajën për t’iu bashkuar një organizate sekrete dhe revolucionare të quajtur Vëllazëria, e cila ka për synim shkatërrimin e Partisë. Winston është heroi tipik i cili rrezikon jetën e tij në një luftë vdekjeprurëse me fuqitë e madh. “1984” më shumë se një libër i trilluar, rezultoi të ishte një profeci e cila vazhdon të konsiderohet aktuale edhe në ditët e sotme.