ABEL DJ: NGA IBIZA DHE USA, TEK NJË DEKADË NË LIVING ROOM E TASHMË NË COLOUR DAY FESTIVAL!
Abel DJ nuk është aspak një emër i ri në vazhdën e artistëve muzikorë më të mirë që kemi. Karriera e tij, tashmë 20 vjeçare, e ka bërë jo vetëm të njohë më së miri publikun dhe mënyrat se si ky i fundit të kënaqet sa më shumë, por i ka kultivuar vetë atij shije tepër gjithëpërfshirëse muzikore.
Abel Goxhaj ka qenë pjesë e eventeve të Telekom Electronic Beats që prej zanafillës së tyre. Nëse nuk e bëni ende lidhjen, është DJ që luajti në setin midis Fatboy Slim dhe Bebe Rexha pak vite më parë. Për ju që jeni autentikë në jetën e natës, është DJ rezident i ish-Living Room. Për ju që ende nuk e keni hasur më parë, mund ta ndiqni këtë të premte në serinë e Clubnights @Telekom Lounge dhe në datën 12 Maj tek Colour Day Festival për një tjetër festë plot ritëm dhe këtë herë, ngjyra!
Ti ke nisur të performosh që në fundin e viteve ’90. Si ka ndryshuar skena festive në sytë e tu përgjatë dy dekadave?
Si çdo fushë edhe festat kanë ndryshuar shumë. Më parë, në vitet 1998-2004, i vetmi vend ku mund të festoje ishte një Disko apo Pub. Ka patur maksimumi 1 apo 2 organizime në vit me këngëtarë apo grupe të huaja, kujtoj këtu DJ Bobo në sheshin Skënderbej apo Scorpions tek ish-Stadiumin Dinamo. Pas vitit 2008, të tilla evente filluan të shtohen.
Tani, këto festa janë edhe më të larmishme, me standarte teknike, me tematika, me DJ, me këngëtarë dhe me kompani që i kurojnë këto evente më së miri. Shpresoj që ky ritëm të mbahet, pasi edhe audienca mësohet të festojë më natyrshëm, të ndihet më e lirë, jo si nëpër klube ku pozicionohen pranë tavolinës me telefon në dorë dhe duket sikur kanë dalë nga “halli”.
Që nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e deri tek festat në Ibiza, cila ka mbetur në mendjen tënde si festa më e çmendur?
Hmmm… Keni harruar edhe USA (qesh). Të gjitha festat kanë lezetin e tyre dhe një “damar të çmendur”. Gjithsesi, ato që do kujtoj gjithmonë si më të çmendurat janë:
Set-i në Cala Bassa Ibiza, set-i mes Fatboy Slim dhe Bebe Rexha në Electronic Beats Fest në sheshin Nënë Tereza dhe ai gjatë inaugurimit të sheshit Skënderbej.
A je DJ që luan playlistën e tij apo ia lë në dorë energjisë së momentit për të zgjedhur track-un pasues?
Diçka që përvetëson ndër vite është aftësia për të kuptuar se me çfarë kënge apo seti e bën për vete audiencën. Nga ana tjetër, teknologjia të lejon të mbash një librari goxha të madhe dhe të larmishme me vete, kështu që mundohem të lexoj gjithmonë audiencën.
Cilët kanë qenë heronjt e tu në muzikë, kur nise dhe cilët janë heronjtë e tu tani?
Frymëzimin mundohem ta marr nga çdo artist. Nuk jam tip fanatik për një personazh, por mundohem më tepër të marr më të mirën nga të gjithë. Në fillimet e mia ndiqja edhe 2Pac, C-Block, Westbam, Quicksilver, Gigi D’Agostino apo Daft Punk.
Më pas, qëndrimi gati 10 vjeçar në Living Room më drejtoi më shumë nga rrymat Pop, Rock dhe eclectic me artistë/grupe si Pink Floyd, Guns’n’Roses, Europe, Deep Purple, Gotan Project, Schiller, Pink Martini, Moby apo Faithles dhe Chemical Brothers . Jam munduar gjithmonë të marr disa shembuj që kanë lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare për të formuar atë që unë jam sot.
Kjo nuk është hera e parë që ti luan në krah të DJ legjendar Tujamo, apo jo?
Jo, nuk është. Kam performuar përkrah tij disa vite më parë në Matrix Night Club. Një artist dhe DJ vërtetë shumë i mirë. Ka një set shumë të bukur që shpresoj mos e humbasë askush në 12 Maj.
Si po e pret Colour Day Festival? Do jesh pjesë e festës përveç performancës?
Kisha rreth 2 vite që e ndiqja online Color Day Fest dhe më pëlqen shumë tema që ka. Kur më thanë që do të bëhej në Tiranë dhe më kërkuan të isha pjesë, pranova me shumë kënaqësi. Absolutisht që do të behem edhe pjesë e festës, para dhe pas performancës.