Armand Mehidri: Në Mesin e Artë të Artit si Pasion dhe Artit Komercial
Artisti 25 vjeçar spikati fare shpejt në karrierën e tij për shkak të ilustrimeve shumë të goditura. Mehidri ka aftësi të mbërthejë të gjitha detajet që e bëjnë një portret karakteristik dhe ta sjellë atë në formën e një ilustrimi. Dhe nëse jemi të sinqertë, të gjithë në fshehtësi duam të kemi një kujtim të tillë të vetes tonë. Dhe pikërisht tek kjo dëshirë qëndron dhe suksesi i tij, duke patur ndër ndjekësit në Instagram personazhe si Jennifer Lopez, apo duke u zgjuar me like nga Rihanna dhe përdorimin e ilustrimeve të tij në aplikacionet e gati çdo Kardashiani në këtë botë.
Armand Mehidri është që tani një histori suksesi, jo vetëm për shkak se ka arritur të tërheqë vëmendjen e shumë ikonave mediatike botërore, por sepse [dhe kjo është arsyea që donim ta kishim në këtë seri intervistash në Electronic Beats] e thënë me fjalët e tij: ka gjetur një pikë të ndërmjetme midis artit si pasion dhe artit komercial.
Armand Mehidri tashmë është një histori suksesi dhe një artist i afirmuar, por ne njësoj në fshehtësi shpresojmë të jetë thjesht në hapat e para, e të shohim e dëgjojmë më shumë prej tij.
Sa herë shohim artistë të rinj që spikasin për krijimtari autentike, krijojmë në kokë një tablo se si kanë arritur deri në gjetjen stilit të tyre. Cila është historia jote në fillesë?
Lidhja ime me artin nuk ka qenë rastësore. Kam filluar të vizatoj që në moshën 4 vjeçare, dhe nuk kam ndaluar që atëherë. Kam përfunduar studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas jam diplomuar në Universitetin a Arteve, dega Multimedia. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam provar të gjitha zhaneret e artit visual që nga vizatimi, piktura, video e deri tek fotografia e shumë të tjera, por si pa kuptuar e gjeta veten duke ilustruar personazhe të Pop Culture [Kulturës Pop] në përditshmërinë time.
Jemi tepër kuriozë të dimë rreth teje, pasi nga profili yt në rrjetet sociale nuk kuptohet shumë rreth personit tënd. Është një zgjedhje e jotja për të qëndruar pak enigmatik? Nëse ke dëshirë, na trego pak rreth vetes tënde.
Gjithmonë më ka pëlqyer të jem pak i tërhequr në jetën time private. Ndjekësit në profilin tim në instagram janë më të interesuar për krijimtarinë time sesa për mua.
Unë jam 25 vjeç, jetoj momentalisht në Dubai ku ushtroj profesionin e Art Director në një kompani marketingu.
Kur e kuptove që ilustrimet janë pika jote e fortë?
E kuptova që duhet të gjeja një pikë të ndërmjetme midis një arti që më pëlqen dhe një arti komercial. Unë nuk e shoh veten si një artist underground, është e rëndësishme që arti im të pëlqehet nga masa. Vura re që njerëzit tërhiqen shumë nga ilustrimet e personazheve dhe karaktereve të famshme, ndaj pak nga pak e ktheva këtë në një biznes.
Cilin program përdor dhe a ke ndonjë element të preferuar kur punon?
Në fillim ilustrimet e mia kanë qenë handmade, pra të punuara në letër. Tashmë jam zhvendosur në ilustrimin dixhital për shumë arsye. Të kursen goxha kohë, impakti është më i fortë dhe nuk është e nevojshme të jesh i ulur në një tavolinë për të punuar. Për ilustrimet e mia mjafton një iPad Pro, një laps dixhital dhe e bën punën.
Si i përzgjedh personazhet të cilat vizaton ?
Studioj impaktin e ndjekësve. E kam krijuar pak a shumë idenë se cilët personazhe pëlqehen më shumë, dhe janë zakonisht ata më të sukseshmit e momentit. Gjithashtu, mundohem të jem i përditësuar gjatë gjithë kohës me ngjarjet dhe eventet e fundit në mënyrë që t’i përcjell ato në një ilustrim në profilin tim.
Si arrin ta menaxhosh vetë veten? [po e marrim të mirëqenë që e menaxhon vetë veten]
E vërtetë, unë e menaxhoj veten time. Për momentin është e përballueshme. Ndoshta një ditë, kur fluksi i punës të jetë më i madh, do të më duhet ndihma e dikujt tjetër.
Kam mësuar shumë dhe në ambientin e vendit ku punoj rreth strategjive të marketingut dhe mediave sociale. Mendoj që kjo ka qenë goxha e vlefshme si eksperiencë.
Cili repost është më i rëndësishëm për ty? Dhe cili kujtim [mesazh, tekst] është ai që të ka prekur më shumë?
Të gjitha janë të rëndëshishme, por do veçoja ripostimin e Madonnës. Jam rritur duke e adhuruar Madonnën dhe gjithmonë më ështe dukur si një figurë shumë e paprekshme, shumë e vështirë për të krijuar sado pak kontakt me të.
Mesazhet janë të gjitha të rëndësishme, por ato që më impresionojnë më shumë janë disa raste kur vajza të vogla më thonë që kanë vazhduar studimet për fashion sepse janë frymëzuar nga punët e mia, ose kur më kanë përdorur si personazhi që i inspiron për disa projekte në shkollë.
A janë ilustrimet një pasion të cilin do e vazhdosh gjatë apo ke plane të tjera për të ardhmen tënde?
Plane kam plot, por nuk besoj se do ndaloj së ilustruari. Biznesi im shpresoj që do të rritet dhe zgjerohet, por ilustrimet e modës gjithmonë do jenë të pranishme.
Së fundmi, nëse mund të japësh disa këshilla për të gjithë të rinjtë që ndajnë të njejtën ambicje dhe dashuri si ti, por ende ndeshen me diskutimet të cilat pretenodjnë që arti në Shqipëri është një platformë e cila nuk gjeneron të ardhura.
Fatkeqësisht është e vërtetë. Në Shqipëri është e vështirë të jetosh duke bërë art. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk të vlerësojnë aq sa duhet, ose nuk të blejnë për aq sa do të shesësh. Por, në ditët e sotme gjithmonë ka një zgjidhje. Interneti është një dritare komunikimi me të gjithë botën, dhe u këshilloj të gjithëve ta përdorin si platformë për pasqyrimin e punës së tyre. Duhet shumë punë dhe shumë këmbëngulje, por asgjë nuk është e paarritshme.