ATOMIC BLONDE NËN DRITAT E NEONIT: ATMOSFERA UNDERGROUND E BERLINIT TË LUFTËS SË FTOHTË

Me David Hasselhoff në qytet dhe lajtmotivin “Shembeni këtë mur” (“Tear down this wall”) në çdo televizion, Berlini po përballet me një moment intensiv gjeopolitik. Kështu e sjell Lorraine Broughton retrospektivën teksa rrëfen sfidat e misionit të saj në Berlin.

A mund të jesh më gjakftohtë se një “stoli on the rocks?” Charlize Theron mund të jetë, në filmin e bazuar në novelën grafike “The Coldest City,” Atomic Blonde.

Vetë titulli thotë gjithçka në lidhje me personazhin kryesor, Lorraine Broughton, e cila është një agjente e fshehur e MI6 me aftësi të jashtëzakonshme mbijetese në misione shumë të vështira. Ditët e fundit, përpara rënies së murit të Berlinit, ajo udhëton në zemrën e qytetit për të tërhequr trupin e një agjenti të rënë dhe për të zbuluar listën e agjentëve të dyfishtë, duke u gjendur në mesin e një grupi të pamëshirshëm spiunësh dhe njerëzish të rrezikshëm.

“I keni parasysh ata filma, në të cilët skena fillon të ngadalësohet e të shkrihet në flakë? Epo… ky ishte Berlini!” rrëfehet Lorraine për misionin e saj në Berlin!

Ngjarjet e ndërthurura me retrospektivën, gjallëria e konspiracioneve dhe aksioni i jashtëzakonshëm (aty e kupton qe Charlize ka dy metra shalë) të mbajnë të karikuar gjatë 1 ore dhe 54 minutave narracion dyluftimi, të papriturash dhe dashurie të pamundur.

Arti luftarak nën tingujt e “Father Figure” të George Michael nuk mund të mos ju dhurojë kënaqësi. Charlize në këtë rol është mishërimi i stilit dhe elegancës vrastare. Titulli është një përshtatje interesante e këngës new wave, post-punk “Atomic” nga Blondie. Jo më kot, personazhi kryesor ka flokë bjondë në nuancë platini dhe vesh çizme të gjata si solistja Debbie Harry.

Performanca epike e Charlize theksohet nga prania e James McAvoy (në rolin e David Percival), i cili e luan në mënyrë perfekte rolin e tij negativ prej agjenti dhe spiuni me identitet të dyfishtë. (Ia prish performancën vetëm modeli i keq i flokëve që sipas tij e ndihmonte të kamuflohej në anën Lindore)

Pjesë e narrativës bëhet edhe raporti homoseksual mes personazhit kryesor, Lorraine dhe Delphine Lasalle (Sofia Boutella), një agjente diletante franceze. Filmi është konsideruar i zhanrit aksion feminist. Skenat rozë mes dy personazheve sjellin në qendër rëndësinë e vetëshprehjes nëpërmjet dashurisë.

Surpriza më e bukur e këtij filmi është linja muzikore. Skenat e xhiruara i mbivendosen një ambienti muzikor shumë të fuqishëm dhe emocionues. Për herë të parë, regjizori David Leitch favorizon një atmosferë undergound të karakterizuar nga ndriçimi me dritë neonesh, si prej ndonjë klipi të Duran Duran apo risjellje e filmit “The Neon Demon”.

Vija muzikore është një miks i motiveve pop-rock dhe new rave nga vitet 80’ me prezencën e New Order, Depeche ModeSiouxsieBanshees dhe të versionit të përpunuar të elektropopit të jashtëzakonshëm, 99 Luftballons nga Nena.

Filmi fillon me vdekjen e agjentit të MI6 nën tingujt e Blue Monday, një rikthim interesant i miksimit të New Order nga viti 1983, duke u pasuar nga ecejakja me vetëbesim e agjentes Lorraine nën Cat People të David Bowie në sfond.

Tashmë, e dimë për historinë e dashurisë mes David dhe Berlinit. Madje, David ka realizuar një koncert në anën perëndimore të Berlinit në verën e vitit 1987 (pak muaj përpara rënies së murit) duke shenjuar bindjen e një populli të tërë për shembjen e murit me performancën e “Heroes”. Sigurisht që prezenca e Bowie në listën e pjesëve muzikore nuk mund të ishte një rastësi. (Meqë ra fjala, ishte gjithashtu një mik i mirë i Debbie Harry. Një tjetër rastësi e filmit?)

Në tërësi, filmi është një gjetje interesante, e realizuar shumë mirë. Sipas Telegraph, Lorraine Broughton e bën James Bond të duket demode dhe i plakur. Për gjininë femërore do të shërbejë si një dozë e mirë vetëbesimi, ndërsa për meshkujt, hmmm mjafton të themi që do të kenë kënaqësinë të shijojnë bukurinë dhe karakterin e Charlize Theron. Mund t’i hidhni një sy trailer-it më poshtë.