ÇFARË ËSHTË TIRANA? NË TENTATIVË PËR TË QENË QYTETI I MUZIKËS APO BINDSHËM NJË I TILLË?

Amsterdami njihet si “Qytet i vogël, me zemër të madhe”. Roma njihet si qyteti i pavdekshëm, ndërsa Parisi si qyteti i dashurisë.

Po Tirana për çfarë njihet?

Qyteti më dinamik i Shqipërisë i cili është gjithnjë në lëvizje dhe në ndryshim të vazhdueshëm, ka kaluar periudha të tëra tranzicioni. Ndoshta për këtë arsye është e vështirë të identifikohet në një mënyrë të vetme.

Ky është qyteti i bareve dhe klubeve gjithnjë të populluara, i zhurmave të metropolit, i rinisë dhe aktiviteteve kulturore gjithnjë në rritje.

Përpara pak kohësh ka provuar të jetë edhe qyteti i muzikës. Ka shumë mundësi që të keni parë nëpër lokacione të ndryshme dhe tërheqëse të Tiranës, artistët më në zë të muzikës në Shqipëri dhe Kosovë tek performojnë.

Misioni ishte 10 artistë në 10 lokacione të ndryshme të Tiranës. Videot e performancave të artistëve nën emërtimin “Tirana Sessions” mund të gjenden në kanalin e YouTube me të njejtin emër. Ndër të tjera, do të shihni performancën e Shpat Dedës në shkallët e Universitetit Politeknik, të Kamela Islamaj pranë Liceut Artistik e të shumë artistëve të tjerë si Alban Ramosaj, Beatrix Ramosaj, Eneda Tarifa, Vitmar Basha, Genc Salihu, Bojken Lako, Alban Nimani dhe Marsela Çibukaj.

Për pak kohë Tirana shërbeu si ndalesa më tërheqëse e promovimit të muzikës. E ku më mirë se në rrugët dhe këndet më të populluara dhe të preferuara të kryeqytetit që nuk fle kurrë.

Deri më tani na ka rastisur të lexojmë se si Viena është kryeqyteti i muzikës dhe Bolonja vetë tradita dhe identiteti muzikor europian. Por, a mund ta quajmë edhe Tiranën një qytet muzike? Apo, a mund të bëhemi edhe ne një?

Gjasat janë që të mund të bëhemi, pikërisht me muzikën që ka lindur këtu nga artistët tanë, nën frymën dhe gjallërinë e një qyteti gjithnjë në rritje, me muzikë që jetohet dhe ndihet ndryshe në lokacione të ndryshme dhe momente të ndryshme të kryeqytetit.

Këtë emocion përcolli Tirana Sessions dhe pikërisht këtë emocion synon të dhurojë Electronic Beats me muzikën më të mirë të sjellë në format më kreative në lokacionet më të pazakonta për Tiranën, underground-et që mbajnë ekskluzivitetin e festave më interesante të momentit.

Përpara pak kohësh, ambienti i brendshëm i Piramidës mori jetë nga Electronic Beats Urban Culture Festival dhe emocione të tilla do të vijojnë të përçohen në përputhje me kërkesat në rritje të rinisë së kryeqytetit për emocione të reja.

Po për ju çfarë është Tirana?