Ne të Electronic Beats jemi sytë dhe veshët tuaj në qytet, dhe gjithmonë të vëmendshëm që të mos lejojmë asnjë natë interesante pa vizituar, në mënyrë që nëse nuk keni patur mundësinë të shkoni vetë, ta përjetoni eksperiencën përmes nesh.
Gjatë javës së shkuar zgjodhëm të shkojmë tek “Project 22’”, ekspozita e së enjtes në Destil, ku piktorja Alda Lika në bashkëpunim me artistin britanik John Butler sollën një mbrëmje e cila kishte vërtetë gjithçka!
Sapo hymë tek Destil e ndjemë që bëhej fjalë për një event të veçantë, pasi Lika përveç ekspozitës së saj të parë, festonte edhe ditëlindjen. Shumë njerëz ndodheshin tek hapësira kushtuar artistëve, duke parë 22 punimet e Likës të cilat varionin nga penelatat në dorë të lirë deri tek format gjeometrike dhe linjat e prera. Atmosfera është pak të thuhet që ishte miqësore dhe duket sikur debutimi i Likës u prit tejet mirë nga audienca, madje dy piktura ishin shitur që para se ne të mbërrinim [çmimin nuk e dimë, por dimë që njëra prej tyre ishte ajo e përdorur edhe në posterin e eventit].
Nëse ishe duke parë pikturat, nuk mund të të mos tërhiqnin vëmendjen në të djathtën tënde videoartet e John Butler. Të bazuara në pikturat e Aldës, Butler kishte sjellë në jetë ndjenat e paqëndrueshme, marrëdhëniet e turbullta dhe pendimet që artistja paraqet në punën e saj.
Për t’i dhënë eventit detajin e festës, kishim më të mirët e live-it dhe disqeve. Piter Pan Quartetperformuan siç vetëm ata dinë, duke e kthyer një mbrëmje penelatash në një festë ritmike. Pas performances ishin edhe stacioni më interesant për të pirë shotsa dhe për të diskutuar mbi jetën dhe artin. Çfarë çunash! ❤
Para dhe pas tyre, në ngarkim të gjendjes së festës ishte Naam Van, kështu që nuk mbeti askush ulur në asnjë moment, pasi kemi të bëjmë me një nga ata DJ-të që janë në rradhë të parë fansa të muzikës së mirë dhe kur e shijon vetë atë çka po luan, e ndjen edhe audienca.
Si përfundim, e enjtja në qytet na dhuroi gjatë javës së shkuar disa alternativa dhe të gjitha ishin cilësore e rrjedhimisht tunduese, por ne jemi Electronic Beats kështu që vëmendjen tonë ia kushtuam si gjithmonë artistëve të rinj, atyre të cilët guxojnë të sjellin në jetë artin e tyre.
Për të mësuar stacionet tona të reja qëndroni të përditësuar, pasi postojmë çdo fundjavë një listë të gjatë me sugjerime se si ta bëni jetën në qytet sa më të larmishme, dhe çdo të hënë përshtypjet tona nga një prej eventeve ku kemi zgjedhur të shkojmë.