Dabó, Alter-Ego apo Karakteri i Vërtetë i Donald Braho?!
Ai i fotografon fotot që pëlqen, i xhiron filmat që do të shohë, e krijon muzikën që do të dëgjojë. Në një vorbull temash dhe arsyesh, donim ta intervistonim pikërisht për Dabó, një personazh i cili përngjan më shumë me një alterego të tijën. Ose, siç Donaldi pëlqen të thotë: “Është ai që po më merr vëmendjen këto kohët e fundit nga jeta ime.”
Ta merr Dabó-ja vëmendjen?
“Po, ma merr Dabó-ja vëmendjen sepse në fakt është një ëndërr e ndrydhur, mund ta them edhe këtë gjë. Kur kam qenë i vogël dëgjoja këngëtarët pop, dëgjoja rrymat që ishin në qarkullim, por rryma që më ngrinte për të kërcyer ishte pop-i që kishte elektronikën brenda. Ndoshta ka qenë edhe influencë e babit, me vinilat e ‘80-ës dhe me muzikën me ritme disko, nga Grace Jones, apo artistë të ngjashëm. Mendoj që pikërisht në atë pikë filloi dashuria për muzikën. Nuk flija dot nëse nuk kisha muzikën të ndezur dhe nuk zgjohesha dot nëse nuk kisha muzikën të ndezur, dhe bëhet fjalë për moshën 2-3 vjeçare.
Sa fëmijë i vështirë!
Le të themi një fëmijë që gënjehej me pak. Mjaftonte magnetofoni i ndezur dhe kasetat gati.
Sa kohë ka Dabó që të kërkon vëmendje, por ti nuk ia jep?
Të them të drejtën ka shumë kohë, sepse gjithmonë është ndrydhur, gjithmonë ka qenë pasiguria e natyrës “Po bën foto, po bën video, do bësh edhe muzikë tani? Një sekondë sepse ti e respekton shumë muzikën!” Është si shprehja që thotë se shpella ku ke më frikë të futesh, është edhe ajo që mbart thesarin që po kërkon. Ndaj, mendoj se ka ardhur koha, sidomos tani që po mbyll edhe diplomën në Akademinë e Arteve, për t’i kushtuar pak kohë Dabó-së për të kuptuar nëse kjo alter-ego apo ky personazh është ai i vërteti.
Deri tani duket mirë!
Deri tani duket vërtetë mirë sepse në kohën që Dabó-ja arriti të paguajë faturat e mia është lart. [qesh]
Çfarë mund të thuash për momentet më të rëndësishme të 2017-ës?
2017-a, të them të drejtën, ishte viti i dështimeve. Ishte fantastik! Nëse mëson të dështosh, me kalimin e kohës e redukton dështimin në masën 30% apo 40%. Nëse dështimi të tejkalon dhe e ke të vështirë ta pranosh që ke dështuar, je i humbur. 2017 ishte viti i dështimeve të nevojshme.
Duam të dëgjojmë mbi frymëzimin tënd, pasi flasim gjithmonë për një medium artistik, për të cilin nuk mjafton vetëm dëshira e mirë për ta bërë. Ajo që vlerësojmë tek ti është që nuk bën thjesht DJ-n që mikson këngë të huaja, por je ndër ata që krijojnë pjesët e veta.
Në fakt, ky është një informacion që e dinë shumë pak njerëz. Është konfidencial sepse realisht jam duke punuar ende me këto pjesë. Unë krijova një librari verën e shkuar me rreth 50-70 sample highheads, bass, synth-e të ndryshme, të cilat mund të përdoren në këngë të ndryshme për të krijuar struktura. Them se është gjysma e punës, pasi tashmë me to janë formuar edhe disa pjesë, të cilat janë gati për t’u prodhuar.
Kam bashkëpunuar me një artist kosovar që quhet Natural Mess, i cili është i fokusuar kryesisht tek tech-house. Për t’u futur në treg duhet të bësh një luftë, nuk mund të tregosh menjëherë se cili je, kryen një rrugëtim, duhet të provosh disa gjëra për të arritur aty ku do të jesh. Ndërkohë, muzika ime është diçka tjetër, anon tek modular synth, tek ato bassline të cilat bëjnë këdo të kërcejë.
Kam edhe një bashkëpunim tjetër, një produksion i imi me një artiste të re po nga Kosova. Do të jetë diçka më komerciale, jo vetëm club-i sepse do të shfaqet edhe në televizion. Ky prodhim do të tërheqë edhe audiencë të re. Qëllimi im është pikërisht të argëtuarit dhe të dashurit të muzikës përtej rregullave që vendos shoqëria.
Dhe meqë jemi tek gjërat që nuk janë të humbura, por implementohen në të ardhmen, i ke vënë vetes synime për këtë vit? Gjëra të cilat do t’i arrish, ndoshta një LP?
Këtë vit, në krye kam pragmatizmin! Mund të kem një ide të bukur, por sa e realizueshme është kjo ide? Për të realizuar një EP duhet të bashkëpunosh me profesionistë, duke përfshirë edhe inxhinerë të zërit që e kam patur pak të vështirë të gjej. Kjo do të thotë, që shumë punë miksi dhe masteri duhen dërguar jashtë me një pagesë më të lartë.
Një nga dështimet që përmenda gjatë 2017-ës ishte dhe realizimii një EP-je [extended play], pasi është shumë herët që unë të bëj një LP. Dëshira ime ka qenë të realizoj një EP me 5-6 këngë ku do të ketë edhe vokale nga talente të reja, por edhe këngëtarë të cilët tashmë lëvrojnë në treg me një rrymë të caktuar, por që këtë herë do vijnë ndryshe.
“Tull Productions” ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e mi dhe nuk mund ta quaj thjesht një studio, pasi Brizi është gjithmonë i hapur për rrymat e reja. Qëllimi për 2018-ën është realizimi i më shumë gig-eve jashtë vendit, gjë që pres ta realizoj nëpërmjet bashkëpunimeve.
Cili është mesazhi yt për të gjithë muzikantët e rinj që po krijojnë stilin e tyre?
Mos hiqni dorë! Vetëm në momentin që nuk hiqni dorë, çdo mundësi do të prezantohet përpara jush si diçka magjike! Është e thjeshtë, mjafton të mbani qendrim pozitiv!
Talente të reja po spikasin, dhe gjithçka tashmë sillet rreth ndërthurjes së rrymave. Përballemi me përzierje brezazh, influencash, madje dhe hip-hop-i po futet gjithmonë e më shumë në elektronikë për të bërë një kombinim që tejkalon çdo paragjykim.
Duhet të jemi më të hapur, më tolerantë, të kemi mundësinë t’i dëgjojmë të gjitha e pastaj të vendosim se çfarë na pëlqen vërtetë.
Si e sheh evoluimin tënd në fushën e muzikës për këtë vit?
Çdo gjë e kam mësuar vetë, që nga luajtja e muzikës e deri tek prodhimi muzikor. Por, ka ardhur një moment në të cilin edhe autodidakti ka nevojë për zhvillimin e tij.
Nëse deri më parë kisha menduar të bëja një master në psikologji apo për ndriçimin në film, tani mendoj që masteri do jetë për kompozicion dhe për përdorimin e mjeteve elektronike për krijimin e diçkaje më cilësore me standard botëror. Unë jam përpjekur gjithmonë të kem një standard të tillë, por dua të marr arsimimin përkatës.
Nga kjo bisedë vërejmë që e përdor fjalën “eksperiment” në formë aspak eksperimentale. Ti arrin të materializosh pasionet e tua në mënyrë të pëlqyeshme.
Qëllimi im ka qenë gjithmonë: “Të shoh rrugën time!” Përsa i përket rrymave, apo se cilën rrugë do të marrë Dabó, po përpiqem shumë që të mos krijojë edhe ai një alterego të vetën, gjë të cilën e kam menduar dhe quhet DoubleCid.
Bëhet fjalë për një altergo që reflekton pjesën time më të errët, ku BPM-i rritet, i kalon 130 dhe tingulli bëhet më acid. Nuk është për t’u dëgjuar në club-e, por për festa që realizohen në magazina, në vende të hapura, apo në periferi të qyteteve.
Nuk mendoj ama që do e arrij këtë gjë pasi tashmë e kam një ndarje personaliteti dhe tre do ishin shumë. [qesh]