DJ ALDO, NJË NDËR IMAZHET MË TË DASHURA TË JETËS SË NATËS

Jeta e natës së kryeqytetit dhe jo vetëm do të kishte qenë e vështirë të imagjinohej pa DJ Aldon. Shumë i kanë përjetuar fillesat e jetës së natës në Shqipëri, ndërsa shumë të tjerë kanë dëgjuar për to. Është gjithnjë kënaqësi që të dëgjosh se si filloi gjithçka, të dëshmosh atë që po ndodh dhe të kontribuosh në atë që do të vijë.

Është kënaqësi gjithashtu që për një temë të tillë të kryejmë një bisedë me DJ Aldon, i cili do të jetë miku ynë në Clubnights @Telekom Lounge këtë të premte.

Si filloi ky pasion dhe profesion i lidhur ngushtësisht me muzikën për ty Aldo?

Kam filluar të punoj si DJ dhe të miksoj muzikë që nga vera e vitit 1997. Mundësia e parë për të zhvilluar këtë pasion timin mu dha nga Top Albania Radio. Bëhet fjalë për një kohë, kur edhe emri i radios nuk ishte përcaktuar ende me saktësi.

Kam qenë ndër të parët që patën mundësinë të bëheshin pjesë e asaj familje të madhe. Pasioni dhe dëshira ime për t’u marrë me muzikë lindën si ndikim i viteve 1992-1993, në moshën 8-9 vjeçare, kohë kur dëgjoja shumë radiot italiane. Isha shumë i apasionuar pas muzikës italiane që asokohe i përkiste zhanrit dance classic dhe DJ-ve që e prodhonin apo e miksonin atë.

Kësisoj mori formë ëndrra ime për t’u bërë një DJ i madh në vendin tim dhe të punoja në radion më të madhe apo club-et më të mëdha të kryeqytetit.

Cili ka qenë club-i i parë ku ke performuar muzikë?

Club-i i parë, ku kam performuar muzikë ka qenë Marikaj. Për kohën ishte ndoshta club-i i parë, i cili gjithashtu ishte shumë cilësor, të paktën duke patur parasysh se çfarë ofrohej në atë kohë dhe faktin që jeta e natës nuk kishte filluar ende në Tiranë.

Pas vitit 99’ filloi gradualisht frekuentimi i ambienteve të llojit lounge ku qendrimi bëhej deri pak pas mesnatës. Më vonë koncepti i jetës së natës evoluoi me club-e më të mëdha, më cilësore dhe më të kohës. Sigurisht që edhe audienca u shtua. Në vitet në vijim gjërat evoluan.

Cili ka qenë club-i i parë i ngjashëm me ato me të cilët jemi mësuar sot, ku ke performuar në fillimet e tua?

I ngjashëm më eventet e sotme ka qenë festa e parë, ku kam performuar në 25 Janar të vitit 2000, pasi herë pas here kam organizuar edhe evente përveç punës që bëja në club-e. Titullohej Adrenaline Night dhe organizohej te pjesa e poshtme e Piramidës.

Dikur ajo pjesë quhej Disko Studenti dhe aty organizoheshin festa në orar dreke. Kjo festë e parë e imja mblodhi rreth 1’500 njerëz dhe është luajtur muzikë elektronike, që për kohën ishte pak e guximshme. Por, duke qenë se kohët ishin ndryshe dhe njerëzit ishin shumë të emocionuar të bëheshin pjesë e festimeve, në ndryshim me atë që ndodh sot që njerëzit dalin më shumë se më parë, ishte për rrjedhojë edhe më e thjeshtë t’i mbaje të pranishëm më gjatë.

Me çfarë po merresh aktualisht?

Përveç punës si DJ, prej dy vitesh drejtoj radion time, Radio One. Është frekuenca 94 për Tiranën dhe për jashtë saj informacioni i nevojshëm gjendet në faqen www.radioone.al.

Dëshira për të patur radion time erdhi pas një eksperience shumë të gjatë dhe të pasur në Top Albania Radio. Qëllimi im është të ofroj një përjetim pozitiv muzikor për ata që e ndjekin radion, e duan muzikën dhe për të ofruar përvojën time për brezat që do të vijnë.

Ka qenë një ëndërr e hershme dhe e realizuar së fundmi me një dëshirë shumë të madhe. Si në vitet e mia të para të punës, kur nga dëshira e madhe paguhesha për 7 orë dhe punoja mbi 15 edhe sot e gjej veten duke bërë të njejtën gjë me radion time, ku kaloj pjesën më të madhe të kohës. Maksimumi absolut është i vështirë të arrihet, por përpiqem të ofroj maksimumin që më ofrojnë kushtet e një dite që zgjat vetëm 24 orë.

Shqipëria ka nevojë për një frymë të huaj siç ndodh rëndom për çështje të ndryshme, por kjo duhet të ndodhë specifikisht në raport me muzikën, kulturën dhe promovimin e jetës së natës. Këto eksperienca dua t’i ndaj me këdo në radio.

Çfarë është muzika për ty?

Për mua muzika është ajër dhe çdo ngacmim në jetë time e marr nga muzika. Konceptin e rrymës së preferuar nuk e njoh më që nga kohët e adoleshencës, pasi eksperienca e punës më ka ndryshuar.

Më ka bërë të hap mendjen e të njoh më shumë, që të jem po ai që krijon tendenca edhe për të tjerët. Ky aspekt merr edhe më shumë vlerë tani që manaxhoj radion time. Muzika është e gjithanshme dhe dua që të kem pranë vetes gjithfarë stereotipesh në aspektin muzikor.

Ku mundemi të të gjejmë dhe të të dëgjojmë tani?

Jam aktiv një herë në javë, ose të premten, ose të shtunën në ato pak club-e të mirëfillta të natës që operojnë aktualisht. Këtë të premte do të jem në Clubnights @Telekom Lounge. Në faqen time zyrtare në Facebook i postoj eventet ku do të jem kështu që aty mund të mësoni më shumë.

Çfarë mendon për jetën e natës në kryeqytet?

Nuk është në nivelin që është pretenduar për shumë vite përpjekje dhe punë që janë bërë më parë në këtë drejtim.

Me kalimin e kohës gjërat rregullohen, por mendoj që nëse ne, të cilët kemi rreth 20 vite eksperiencë në këtë industri, nuk do të punojmë më fort, nuk do të mund të përparojmë.

Brezat e rinj kanë nevojë për një shembull që të ndërtohet infrastruktura e duhur drejt një situate më të mirë.

Çfarë do të sjellësh këtë të premte në Clubnights @Telekom Lounge?

Nuk prirem ta planifikoj setin paraprakisht. Kam një bagazh të pasur me muzikë në USB-të e mia se fatmirësisht jetojmë në kohë, kur me pajisje më të vogla marrim me vete edhe më shumë muzikë.

Ndoshta e dini, por me kohën kemi kaluar nga kasetat në vinyl-a, nga vinyl-a në CD dhe nga CD në USB. ?

Mundohem që të punoj me njerëzit kur performoj. Nga eksperienca, besoj që mund të nuhas preferencat muzikore të audiencës së pranishme brenda 20 minutave të para në mënyrë që t’ju dhuroj momente të bukura për të kujtuar. Në fund të fundit dalim që të kënaqemi apo jo?

Çfarë mesazhi do të ndaje me të rinjtë, ata të apasionuar pas muzikës dhe ata që duan të zhvillojnë artin e tyre?

Kjo pikë më ka munduar në fillimet e mia dhe mendoj që pas 20 viteve punë në këtë industri, më në fund e kam gjetur një përgjigje.

Pavarësisht profesionit apo drejtimit që gjithkush ndjek, është shumë e rëndësishme të ketë pasion dhe dëshirë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar.

Vështirësitë të ndihmojnë të rritesh e të kuptosh. E bukura e artit është, që përfshin shumë disiplina dhe pavarësisht sfidave, nëse arrini të gjeni mënyrën tuaj të vetëshprehjes, kanalizoni çdo energji për të përcjellë mesazhin në formën tuaj.

Talenti duhet perfeksionuar me punë, duke sfiduar në radhë të parë veten.