Billie Eilish është një kantautore amerikane e cila brenda dy viteve të fundit pati një impakt të jashtëzakonshëm me muzikën dhe stilin e saj autentik. Hiti saj debutues “Ocean Eyes” u bë menjëherë viral dhe deri në korrik të këtij viti numëronte mbi 87 milionë shkarkime në Spotify. EP-ja e saj debutuese “Don’t smile at me” e publikuar gjatë ushtit të vitit të shkuar i siguroi Billie Eilish emërimin si artistja e re më premtuese në Apple Music.
Eilish i ka dhënë tërësisht frymë dhe fytyrë të re muzikës pop, dhe për kë të duhet të falënderojmë familjen e saj e cila e ka mbështetur që ta shpalosë këtë pasion që në moshë të vogël. Bilie ka nisur të performojë në moshën 8 vjeçare në Korin e Fëmijëve të Los Angeles, mandej të shkruajë këngë në moshën 11 vjeçare dhe nënshkroi kontratën e saj të parë me Interscope Records kur ishte vetëm 14 vjeç.
Tashmë 16 vjeç, ajo krahasohet shpesh me Lorde për stilin e errët muzikor, tekstet e fuqishme dhe talentin e padiskutueshëm në moshë kaq të vogël. Por, pavarësisht krahasimeve, pa dyshim kemi të bëjmë me një artiste shumë unike në llojin e saj. Prej publikimit të albumit debutues “Ocean Eyes”, Eilish ka qenë pjesë e kolonës zanore të serialit “13 Reasons Why”, ka bashkëpunuar me Vince Staples dhe ka marrë mbi 34 milionë klikime në klipin “Bellyache”.
Fansat në Evropë do mund ta ndjekin gjatë tour-it të saj në muajin shkurt të vitit 2019, teksa në pranverë Billie Eilish do mbajë një tjetër tour në Amerikën e Veriut, tour i cili që tani i ka të gjitha biletat e shitura.
Me një zë të ngjashëm me Lana Del Rey, por pa efekte – Billie tingëllon njëjtë live, me një stil të cilin nuk mund ta krahasojmë me askënd tjetër [ndoshta pak me Avril Lavigne për nga natyra tomboy] dhe me një bukuri që do bënte këdo të betohej që është motra e humbur e Scarlett Johansson, Billie Eilish është gati të pushtojë botën. Me tekste këngësh po aq provokuese sa sjellja e saj e paparashikueshme, që në tingullin e parë të gjithë e kuptuam që këtë herë , kemi të bëjmë me dikë që është përtej moshës së saj.
Tani nuk na mbetet veçse të presim se çfarë do sjellë në të ardhmen adoleshentja e talentuar që po mban botën mbërthyer pas saj.