E KENI DËGJUAR “THE NOW NOW”?

Projekti më i fundit i Damon Albarn është i frymëzuar dukshëm nga vetmia. Me shumë pak artistë të tjerë të ftuar në album, Albarn këtë herë vjen më thjeshtë se kurrë në këngë ritmike me tekste kushtuar lodhjes.

 

Tashmë 50 vjeç, Damon Albarn ende vazhdon të shkruajë për grupin virtual më të famshëm në botë sepse [quajeni si të doni, romantik apo naiv], beson ende se muzika e mirë e një grupi ndërkombëtar mund të ndryshojë botën.

“The Now Now” është albumi i dytë i Gorillaz brenda dy viteve të fundit dhe i katërti që mban Albarn si autor – nga pesë albumet që ka publikuar grupi deri tani. Veçanërisht ndryshe nga projekti i mëparshëm, “Humanz”, këtu kemi të bëjmë me ritme tepër të thjeshta, zërin e Albarnqë mbizotëron [për ata që e kanë dëgjuar të plotë “Humanz”, le të themi që Damon ishte më shumë si garniturë se sa pjatë e parë] dhe bashkëpunimet janë shumë, po shumë të pakta – aq sa vetë grupi e ka cilësuar si albumin solo të 2D [personazhit të Albarn tek Gorillaz]. “The Now Now” është shkruar kur grupi ishte ende në tour, u plotësuar mandej në studio nga Albarn dhe bashkëpunëtori i tij legjendar Hewlett dhe u regjistrua brenda vetëm një muaji. Nga ana muzikale, kemi të bëjmë me koncepte me më pak imagjinatë se çdo album i mëparshëm i Gorillaz, me ritme funk që duket sikur janë krijuar gjatë një dite vere duke parë retë, me pop lozonjar dhe vibe diskoje. Me pak fjalë, “The Now Now” tingëllon si një ditë [e rrallë] pushimi në jetën e Albarn. Ose ajo ndjesia që të gjithë kemi kur më në fund arrijmë në plazh, dhe pasi hedhim sytë përqark pyesim veten “Kaq?”.

Artistët e tjerë pjesë e albumit janë të pakët. Snoop Dogg dhe Jamie Principle shfaqen tek “Hollywood”dhe George Benson i jep atë prekjen magjike “Humility”-t. Por kaq.
Nën tekstet dadaiste të shkruara nëpër dhoma të izoluara hoteli gjatë “Humanz Tour”, Albarnfsheh perspektivën e tij ndaj Brexit, ligjeve mbi përdorimin e armëve dhe politikave moderne e teknologjisë. Tek e fundit, po flasim për një grup të cilit muzikaliteti ka arritur të sjellë një stil krejt autentik, ku këngët janë njëkohësisht magjike dhe të tmerrshme. E nëse do flasim për Albarn, epo le të themi që është më modest nga sa duhet. Një artist i cili tashmë është një institucion më vete, me një stil të pa ngatërrueshëm, me një talent për të perceptuar absurdin si askush tjetër dhe kureshtar për gjithçka e rrethon.
Albarn vërtetë është tepër modest, pasi nën tisin e një albumi të këndshëm veror ka sjellë një reflektim gjenial mbi apatinë e jetës në vitet që jetojmë.