EFEKTI INDRIPENDENT FX

Jeta e natës në kryeqytet ka variacione, ulje-ngritje, muzikë, rrëmujë, shumë figura të dashura dhe gjithmonë surpriza. E pavarësisht gjithçkaje, nuk mund të imagjinohet, apo jetohet pa pak efekt “Indripendent”. (do e kuptoni më vonë për çfarë e kemi fjalën)

Indrit Topi është fenomeni pas disa prej emisioneve më interesantë në radio, pas bashkëpunimeve shumë të suksesshme me emra të mëdhenj të muzikës në Shqipëri dhe pas tingujve më të mirë të muzikës së klubeve.

Nëse do theksonim disa fjalë kyçe për Indrin, ato do të ishin: #pozitivitet, #buzëqeshje(nga ato që të rregullojnë ditën) #kapele dhe #muzikësupermegayllmishikokërrduartnëajërshumëtëmirë (ky është efekti Indripendent ?).

Në kuadër të Colour Day Festival kemi kënaqësinë të mësojmë më shumë mbi të, eksperiencën e tij dhe muzikën në përgjithësi.

Si filloi pasioni yt për muzikën dhe ndërtimi i karrierës, lidhur ngushtësisht me të?

Fillesat e mia janë të hershme. Kujtoj që të jem aktivizuar me aktivitet kulturore të shkollës time të mesme. Asokohe merrja përsipër festa që ndodhnin paradite pas orarit të shkollës, rreth orës 1:30-2:00, ku të gjithë hallakateshim përpara se të shkonim në shtëpi. Në vitin tim të parë kuptova që kisha vesh për muzikë, për t’u aktivizuar më pas në një nga diskotekat e para të Tiranës. Besoj e keni parasysh që gjithçka mundësohej me kaseta dhe majtofona, por ama bëhej qejf.

Vitet 1996-1999 kanë qenë një nisje e mirë dhe pas këtij momenti iu bashkova Top Albania Radio, ku kam kaluar disa nga vitet e mia më të suksesshme. Në radio jam kujdesur kryesisht për post-production artistik dhe kreativ duke qenë dhe drejtor artistik. Jam vlerësuar dhe shquar për shijet e mia progresive dhe alternative në një radio kryesisht komerciale, pasi gjithnjë kam patur për zemër rrymat indipendente.

Një nga emisionet më interesante ka qenë Hip Hop On The Top, i cili për hir të vërtetës rezultoi të ishtë shumë i suksesshëm. Ndërkohë, në radio kryesisht transmetohej muzikë komerciale e kohës apo dance italian dhe të dëgjoje vetëm hip hop një herë në javë ishte diçka ndryshe. Gjithashtu, atë periudhë kam performuar në festat e mia të para, sërish duke mbuluar këtë rrymë, e cila më vonë do të pësonte një lloj rënieje në konsumim. Në atë pikë fillova të angazhohesha kryesisht në post-production në radio dhe hodha hapat e parë me studion time private muzikore, Tull Productions.

Duke qenë i zënë me radion dhe studion time, kështu ndodhi tërheqja ime nga diskotekat, kjo edhe sepse klubet shqiptare pësuan një lajthitje nga monopolizimi i një rryme x që qarkullonte masivisht, për t’u rikthyer më pas në vitin 2010.

Pas 23 vitesh eksperiencë në këtë fushë, mund të them se i shoh shijet e mia muzikore të ndryshme nga ato që vazhdojnë të shkëmbehen. Nuk mundem të ofroj dhe të marr kenaqësi duke luajtur vetëm një lloj rryme. Dua dhe përpiqem të ofroj sa më shumë larmishmëri që të dhuroj sa më shumë kënaqësi dhe buzëqeshje për këdo që ka dalë të shijojë natën e tij/saj.

Sërish, duke u rikthyer pas në kohë, cili ka qenë klubi ku ke performuar për herë të parë dhe kur ka ndodhur?

Ka ndodhur në Disko Monaco, kur unë isha rreth 15-16 vjeç. Bëhej fjalë për një prenotim prej rreth 500 njerëzish dhe ndodhi që DJ kryesor ishte sëmurë. Kështu që e përballova i vetëm, por sa s’mu prenë këmbët nga emocionet.

Me sa arrij të kujtoj dhe me sa më është thënë, ka qenë një ndër festat e mia më të bukura. Unë njihesha si çerri me repertor, njohuri dhe shije shumë të pasura muzikore.

Emri yt i artit është më interesanti dhe origjinali që na ka rënë rasti të dëgjojmë. Pse pikërisht Indripendent FX?

Emri im është Indrit Topi. Duke qenë se shkronja e fundit e emrit dhe e para e mbiemrit janë njësoj, për shkurt gjithnjë më kanë thirrur Indri. Ndërkohë që drejtoja emisionin në radio, të quajtur Indipendent (që ta kuptoni një herë e mirë drejtimin tim muzikor), një ditë më shkrepi në kokë ideja për ta quajtur veten Indripendent. Prapashtesa FX është në shërbim të “efekt” për shkurt. Efekti i Indripendentit. Se cili është efekti, mund të zbulohet nga dëgjuesit! ?

Çfarë është muzika për ty?

Është gjak që qarkullon shumë shpejt në venat e mia dhe nëse një ditë nuk do të jetë kështu, s’mund të jetoj ndryshe. Për mua është oksigjen, dashuri, pasion… gjithçka.

Rrymat indipendente janë specialiteti yt, por a mund të na thuash se çfarë preferon më shumë të miksosh në klube?

Hip Hop, R&B, Groove dhe Funky. Këto janë rrymat e mia të preferuara. Megjithatë jam fans i shumë rrymave, ndër të cilat mund të përmend edhe elektropop-in. Por, elektropopi i bërë mirë. Trendi më i fundit është selekta të cilën preferoj ta praktikoj dhe që konsiston në miksimin dhe ofrimin e shumë rrymave të ndryshme, në vend të një të vetëm.

Ku mundemi të marrim më shumë nga efekti Indripendent?

Mua më gjeni në radio, me emisionin humoristik “Rikoshet,” (që meqë ra fjala, është produksioni radiofonik më i suksesshëm) së bashku me tre personazhe humoristikë nga më të mirët në Shqipëri. Në raport me emisionin, kujdesem për regjinë, post-production, efektet dhe jam autor.

Në dy ditë të javës më gjeni në Garage Pub. Por, gjithnjë frekuentoj dhe performoj në klube, ku zakonisht njoh stafin dhe njerëzit që e kanë konceptuar, apo projektuar. Kjo për arsye se në të kundërt e kam të vështirë të gjej vetveten dhe të lëvroj punën time.

Si e kalon kohën e lirë, nëse pas të gjithë impenjimeve të ngelet sadopak?

Nëse bëhet fjalë për sporte jam gjithnjë i gatshëm dhe një ndër gjërat, që më shijon më shumë të bëj, është të ec. Si çdo bashkëjetues i epokës time, më pëlqen të hulumtoj për të rejat më të fundit që ndodhin rreth meje, në lidhje me muzikën, filmat dhe gjithçka tjetër.

Duke qenë një komponent shumë i rëndësishëm i jetës së natës në kryeqytet, çfarë mendon për drejtimin që ka marrë?

Jeta e natës ka një farë zhvillimi këto kohët e fundit. Më duhet të theksoj që i vlerësoj shumë njerëzit që dalin për të përjetuar pak nga gjithçka e jetës së natës që ofrohet në kryeqytet. Mendoj se po përjeton një lloj pasurimi për sa i përket larmishmërisë së ambienteve.

Megjithatë, them se ka hapësirë për të ofruar më shumë larmishmëri për sa i përket muzikës, duke krijuar mundësinë që shumë njerëz të ndryshëm të bëhen pjesë e jetës së natës dhe të dalin më shumë. Nuk më rri mirë tendenca e njerëzve që dalin pa e patur një ide të qartë se çfarë kërkojnë të bëjnë atë natë të caktuar, por që nisen me idenë se atë që duan do ta gjejnë rrugës. Për rrjedhojë ndodh edhe që të kthehen në shtëpi të zhgënjyer.

DJ duhet që të eksperimentojnë pak më shumë dhe të dalin nga zona e tyre e rehatisë.

Cilat janë influencat e tua muzikore aktualisht?

Edhe pse vetë pëlqej të miksoj Hip Hop, nuk kam qenë ndonjëherë fans i DJ-ve që bëjnë të njejtën gjë. Mua më pëlqen Hip Hop sepse jam i fiksuar pas ndërtimit të beat-eve, siç jam edhe pak i dhënë pas rebelizmit apo fjalëve të shkruara mirë, të ndërtuara në bazën e një realiteti jo të ekzagjeruar. Në fund të fundit, nëse ky rebelizëm shoqërohet me një kërcim, ku ka më mirë?!

Më kanë intriguar gjithmonë DJ-të që lëvrojnë rrymën elektronike dhe kulturën underground. Për momentin po ndjek shumë Eric Prydz ose Pryda.

Në këtë pikë të karrierës time mund të them se kam nevojë të jem fans i vetes time që të mundem të vetëpërmirësohem vazhdimisht dhe të jem i domosdoshëm për njerëzit që duan të argëtohen.

Së shpejti do të performosh në Colour Day Festival. Si ndihesh Indri?

Po e pres me emocion, pasi ka kaluar goxha kohë që kur kam performuar për një publik, i cili pritet të jetë masiv. Kjo prani e imja në festival, shpresoj të shërbejë si një risi në trendet e festivaleve të këtyre përmasave.

Për çfarë ndihesh më shumë krenar në lidhje me arritjet e tua?

Çdo mëngjes zgjohem dhe jam i lumtur për një ditë të re. Nuk më mungon kurrë buzëqeshja, ashtu siç nuk më mungon dëshira për të dhënë sa më shumë nga vetja. Dua të jem i domomsdoshëm për ata që duan të bëjnë qejf dhe besoj se ia kam dalë mbanë, sepse edhe reagimet që marr mbrapsht janë shumë pozitive.

Puna në studio më ka mundësuar bashkëpunime të rëndësishme me artistë si Alban Skënderaj, Alban Ramosaj, Beatrix Ramosaj dhe shumë të tjerë. Jam vlerësuar dhe mirënjohur për specialitetet e mia në post-production dhe fiksimin që kam në lidhje me efektet audio, gjë që më bën të ndihem krenar. Për sa i përket së ardhmes, Shqipëria është një vend në zhvillim ndaj edhe unë jam pozitiv për atë që duhet të presim.

Çfarë këshille do të kishe për të gjithë muzikë-dashësit, të rinjtë dhe ata që duan të lëvrojnë karrierën e tyre ose jo në fushën tënde?

Së pari, suksese në nismën që keni ndërmarrë si Electronic Beats që në një formë apo një tjetër të riktheni në kujtesë gjithçka ka ndodhur dhe rrugëtimin që eshtë bërë deri në atë që ofrohet sot në fushën e muzikës. Këto janë informacione që duhet të qarkullojnë dhe po qarkullojnë.

Këshilla ime për të gjithë do të ishte që të kenë shumë besim te vetja dhe të përpiqen çdo ditë për t’u vetëpërmirësuar. Jeta është e shkurtër për t’u marrë me gjëra që nuk na përkasin dhe do të ishte mirë që ta kalojmë duke bërë gjithçka që na pëlqen.

Ky brez i ri është shumë i përgatitur, sajë bombardimit me informacion, por më mungojnë të rinjtë që dëgjojnë rryma të gjalla dhe të vërteta si rock e të tjera, duke harxhuar kësisoj kohë me materiale të bëra lehtë. Dëgjoni shumë muzikë dhe informohuni mbi të, për të kuptuar pse ju pëlqen një gjë apo një tjetër.

Kuptoni pse dilni, çfarë kërkoni të bëni dhe ndërtojini ju trendet, pasi argëtimi është personal dhe meritoni të bëni qejf. ?