What Ever Happened to Baby Jane?/Çfarë Ndodhi me të “Voglën” Xhejn?
Pas një karriere aspak të shkurtër, e cila jo vetëm e vendosi atë në listën e artisteve të reja më premtuese në Shqipëri, por edhe i dha një tjetër qasje muzikës, që mund të prodhohej këtu, Xhejn papritur u zhduk, duke lënë pas jo vetëm këngë unike në stilin e tyre [të përdorura edhe si kolona zanore në filma si “7 Ditë” apo “Ti mund të më quash Xhon”], por edhe video që ilustronin vizualisht autenticitetin e saj melodik.
Sot, ajo vazhdon të bëjë të njejtën gjë që bënte edhe këtu, të jetojë duke eksperimentuar çdo ditë, duke provuar çdo ditë, duke u përmirësuar çdo ditë, por tashmë në një vend tjetër. Në kontaktin, ndoshta të parë mediatik që prej largimit drejt Shteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejnin e gjetëm të rritur, të matur dhe më të qartë se kurrë për ambiciet e saj. Dhe nëse ka diçka që nuk ka ndryshuar kurrë tek ajo, janë surprizat për projekte të reja emocionuese dhe premtuese.
U bë më shumë se një vit që ke ikur në USA, por ndryshe nga artistët e tjerë, të cilët zakonisht evente të tilla i bëjnë publike dhe i përflasin shumë mediatikisht, ti thjesht vendose të ikësh në heshtje. Çfarë ndodhi?
Në fakt kam hyrë në vitin e dytë! (As vetë nuk e di si ka fluturuar koha!) Ishte vendim i marrë me kohë, por i finalizuar në “minutë të fundit”. Sigurisht për mua ishte/është një aventurë totalisht e re dhe, sado me ide të qarta, e dija që e panjohura më priste përtej oqeanit. Ndoshta prandaj dhe zgjodha të mos ikja me shumë “zhurmë”.
Si ka ndryshuar jeta jote andej përveç regjimit?
Çdo gjë ka ndryshuar. Që nga stili i jetës, deri tek botëkuptimi dhe zhvillimi social/intelektual/emocional. Jeta shoqërore, mënyra e të shkruarit muzikë, mënyra se si përballoj jetën në përgjithësi dhe sa rëndësi ka të kesh durim e të jesh njeri. Sigurisht që Amerika është e egër, por me një dorë të hedh e me një dorë të mban.
Bashkëpunimi me 360M Records vazhdon ende? Na trego pak si e gjete veten në fillim në USA dhe hapat e tu të parë drejt një karriere muzikore.
Bashkëpunimi me 360M është lënë pezull momentalisht, por bashkëpunimi me Noahn (Noahstradamus) vazhdon dhe do vazhdojë përsa më përket mua. Tashmë jemi dhe të nominuar në IMA [Independet Music Awards] për këngën dance më të mirë në kategorinë “Dance Electronica” dhe deri tani kënga gjendet në majë të kategorisë.
Veten në fillim e gjeta si një milingonë e vogël, ku nuk dija më nga t’ia nisja, dhe pse ishte e qartë nga ku: nga e para!
Luftë për mbijetesë, dilema, etj.
Në një moment mu desh të lija muziken, pasi gjendja ishte akoma konfuze. Nuk doja të performoja më si Janex apo me covers si në Tiranë. Më pas fillova të kanalizohem përsëri, eksperimentova me disa muzikantë të rinj, nuk eci. Më pas disa të tjerë më gjetën me anë të një faqeje që quhet Bandmix nga ku artistët bëjnë “shopping” për bashkëpunime me artistë të tjerë.
Më komplimentuan për projektet e së shkuarës dhe shprehën dëshirën për bashkëpunim. Pasi dëgjova çfarë këta djem bënin dhe pasi zbulova qëllime dhe ide të përbashkëta përsa i përket muzikës dhe së ardhmes, pranova menjëherë.
Projekti sapo ka nisur, bandë e re, emër i ri, stil i ri – Amatix po vijnë.
Nga postimet duket sikur po eksperimenton goxha me stilin tënd muzikor. A do e dëgjojme Xhejnin në një formë të re?
Me Amatix do vij në rryma të ndërthurura, me bazë indie pop dhe elektronike. Me shumë mundësi albumin, i cili është në fazën e post-prodhimit, do e publikojmë gjatë sezonit vjeshtë-dimër. Ndërkohë që këngën tonë të parë do e dëgjoni më shpejt, para verës!
Në postimet në Facebook vumë re edhe një pjesë të re tënden: atë të DJ. Çfarë po të josh më së shumti muzikalisht: të shkruash për të tjerët, të luash këngët e tua, apo të luash e miksosh muzikën e artistëve të tjerë?
Si DJ eksperimentova thjesht për të mbushur disa hapësira boshe dhe për t’u dëfryer, por nuk kam ndërmend të kaloj në DJ-llëqe, haha. Ama, më duhet ta pranoj se po më josh shumë të bëj muzikë për të tjerët. Më kanë thënë që më shkon roli i producentes për shkak të natyrës sime “bossy”! (Shaka)
Në të ardhmen e shoh veten më shumë si producente sesa performuese ç’është e vërteta, gjë të cilën po mendoj ta ndjek profesionalisht në të ardhmen e afërt.
Ke ndër mend të kthehesh? E di që na mungon?
Sigurisht, sepse dhe ju më mungoni! Por ende jo!
Kur të kthehem, duhet të siguroj që kam mjaftueshëm surpriza, jo vetëm për familjarët e miqtë, por për të gjthë Shqiptarët.