Jeni bërë gati për të shtunën në Jalë? Nëse jeni në punë duke ëndërruar plazhin, po duke folur me shokët e shoqet në telefon për t’u koordinuar si do mblidheni për të kaluar fundjavën e nxehtë buzë detit më të bukur në botë, ne ju vijmë në ndihmë me këtë guidë të shkurtër rreth përgatitjeve para se të shkoni për pushime me tendë.
Ne të Telekom Electronic Beats jemi paksa qejflinj të aventurave [por, hej, këta jemi ne!] dhe duam që sa më shumë të rinj në Shqipëri të provojnë të paktën një herë sa bukur është të flesh nën yje. Sidomos nëse në sfond ke zërin e Vlashent Satës apo energjinë e DJ Odës. Ndaj, para se të bëheni gati për një fundjavë aspak të zakonshme, hidhini një sy listës që kemi përgatitur për ju.
Zgjidh me kë do të shkosh për kamping.
Kampingu është një eksperiencë personale po aq sa kolektive. Shumë prej personave që do njihni në kamp mund të jenë duke udhëtuar vetëm, gjë e cila është ende shumë e paperceptueshme për mendësinë shqiptare, por është më se e zakonshme në vendet e tjera të botës. Mjafton një natë për të kuptuar që kamping është një eksperiencë që duhet ta bësh me dikë që ka shpirtin e aventurës, ose vetëm. Në të dyja rastet, do kesh mundësinë të qëndrosh vetëm kur të duash dhe në shoqëri kur të duash.
Vendos sa kohë do qëndrosh dhe ku.
Mund ta marrësh tendën tënde dhe të eksplorosh gjire të reja e vende të panjohura. Ose mund të interesohesh tek kampi më i afërt dhe të qëndrosh aty. Tashmë çdo qytet sado i vogël ka të paktën një kamp ku mund të akomodohesh me tendën tënde kundrejt një pagese shumë të vogël [zakonisht midis 700 – 1400 ALL] ku përfshihet mëngjesi dhe një vakt tjetër, përpos komoditeteve të tjera që ofron kampi si tualeti dhe dushet.
Kutia e ndihmës së shpejtë.
Jeta në natyrë është sa e bukur, aq edhe e paparashikuar. Mos u limito vetëm me ndonjë ilaç për kokën nëse je hangover, por merr antistaminik, leukoplast apo dezinfektues.
Ushqim.
Nuk ka rëndësi nëse do qëndrosh brenda në kamp apo jashtë në natyrë, merr me vete biskota, fruta të thata dhe konserva. Është e kuptueshme që ushqimet si djathi apo qumështi as mos i mendo fare. Nëse brenda teje fle një aventurier i vërtetë, atëherë mund të shkosh edhe në nivelin e gazit dhe enëve të paketueshme.
Mos paketo shumë.
Me ty e kam! Që po mendon të marrësh takat me vete dhe një fustan mbrëmje sepse “nuk i dihet”. Qëndrimi në tendë është një aventurë që nuk ka lidhje me dukjen, por me raportin e njeriut me natyrën, kështu që sa më lehtë, aq më mirë.