JANË EGOIST, PËRTACË DHE TË PAQËNDRUESHËM. JA SE ÇFARË THONË PËR MILLENNIALS!

Një fjalë që e dëgjojmë çdo ditë e më shpesh është “Millennials”. Kjo fjalë përfaqëson një grup njerëzish që kanë lindur nga viti 1981 deri në vitin 1996. Ka shumë mundësi që jeni një prej tyre nëse po lexoni këtë artikull. Unë vetë që po shkruaj, jam një prej tyre. Më lejoni të shpreh indinjatën time për përshkrimin e këtyre njerëzve pasi është paksa… paksa… gabim! Më shumë ka përshkrim negativ sesa pozitiv për këtë grup moshë. E merrni dot me mend se kush i thotë këto? Brezat më të vjetër. Po të bëni një kërkim në Google për Millennials, do të vini re që 70% e artikujve shprehin sesa të papërgjegjshëm jemi në punë. Keni shumë të drejtë. Ashtu jemi, të papërgjegjshëm. Ajo që karakterizon brezin Millennials është një dëshirë e madhe për liri. Na falni nëse nuk duam të skllavërohemi dhe t’i dedikojmë jetën tonë një kompanie që nuk respekton parimet themelore njerëzore.

Ja se çfarë thonë për Millennials:

  • Jemi egoistë dhe na pëlqen vetja. Po jemi egoistë. Këtë na kanë mësuar të bëjmë që kur kemi qenë të vegjël. Në klasat e shkollave nuk na lejonin të komunikonim me njëri-tjetrin kur zhvillohej mësimi. Duhet të rrinim aty të mos flisnim dhe vetëm të dëgjonim. Na pyesnin në fund të mësimit nëse kishim diçka të paqartë dhe nëse kishim, vinim re një bezdisje të madhe nga ana e mësuesve. Jemi mësuar të na mbushin pjatën më shumë se të tjerët në tavolinë, të marrim copën më të madhe të tortës, të mos i ndanim lodrat tona sepse mund të na i prishnin. Kemi foto të çdo momenti të rëndësishëm ose jo të jetës tonë. Celularët u kthyen në smartphone që kanë të ashtuquajturën “front camera”. Po, jemi të fiksuar me selfie dhe e njohim aq mirë fytyrën tonë që të dalim më të bukur nga sa jemi në të vërtetë, pa përmendur fare filtrat. Na pëlqen vetja sepse e dimë se mund të ndryshojmë. Ndoshta sot nuk jemi versioni më i mirë i vetes, por nëse punojmë fort mund të bëhemi. Ndryshe nga brezi i mëparshëm që thotë “ky fat na ra”, ne themi “fatin e ndërtojmë vetë”.
  • Jemi përtacë. E vetmja gjë që dinë të bëjnë është të rrinë shtrirë duke parë seriale! Mund të shohim një sezon të plotë brenda një nate. Po më mirë ta heqim qafe brenda një natë sesa të fiksohemi për javë të tëra. Nuk dinë dhe nuk duan të lajnë pjatat! Kemi makineri për këtë dhe shumë gjëra të tjera, që na kursejnë shumë kohë (nëse dikush ka një kundërshtim, i them vetëm që udhëtimin e radhës të shkojë ta bëjë në këmbë dhe jo me makinë). Nuk lexojnë libra! Kur na shihni të fiksuar në ekranin e një smartphone-i ose tablet-i jemi edhe duke lexuar libra. Madje pasi e kemi lexuar mund të kërkojmë analizën e dikujt që është më i zgjuar se ne. Nuk bëjnë aktivitet fizik! Herës tjetër që jeni rrugëve të qytetit vini re sa palestra ka, kush abonohet aty sipas jush? Nuk marrin përgjegjësi! Na falni kur nuk biem pre e manipulimeve tuaja kur doni të na ngecni diçka. Nëse e dimë se s’mund ta bëjmë – themi jo, nëse mundemi – themi po. Ok, kjo e fundit është e diskutueshme por nëse nuk më ngjall asnjë lloj emocioni as pozitiv as negativ pse duhet ta bëj?
  • Jemi të paqëndrueshëm në punë. Këtu kemi vend për shumë diskutime. Ajo që është vënë re nga Millennials është se duan të bëjnë një ndryshim në botë. Kjo është ajo që I ka bërë më shumë përshtypje botës dhe arsyeja kryesore pse kjo grup moshë diskutohet shumë. Ne mund të vendosim të lëmë një punë për një tjetër që ka më pak para, por është shumë herë më shumë e kënaqshme. Për ne orari tipik 8:00-16:00 nuk është fare i përshtatshëm. Ora 8:00 është shumë herët. Sa të llastuar thonë disa. Po pse të rrish si një zombie para PC të punës pa bërë asgjë kur mund të flije një orë më shumë? Le ta lemë hipokrizinë mënjanë dhe të pranojmë se asnjeri nuk është produktiv në 8:00. Ajo që ne kemi kuptuar dhe pranuar është se një pozicion pune nuk mund të jetë prioriteti i parë në jetë. Sigurisht puna është e rëndësishme, paratë na duhen të gjithëve për arsye shumë të qarta, por nuk mund të jenë çdo gjë. Millennials duan të mbushin jetën e tyre me eksperienca dhe jo me para. Nuk ka kuptim të marrësh një kredi për shtëpi dhe të prangosësh veten për 20 vite kur mund të marrësh një apartament të vogël me qira. Në fund të ditës shtëpia një hotel është. Dikush mund të thotë “po familje do krijosh ti”? Sigurisht që po dhe dua të kem mundësinë të zgjedh atë që më përshtatet më shumë për momentin. Jeta është e gjatë dhe ka faza të ndryshme. Fatmirësisht, në ditët e sotme nuk vuajmë për vendbanime dhe vështirë se do të ngelemi mes katër rrugëve.

Si përfundim do të shprehja se ne, Millennials, jemi shumë të vetëdijshëm për të metat tona.  I kemi kuptuar dhe nuk jemi krenarë për to. Ajo që na bashkon të gjithëve është se duam të krijojmë një botë më të mirë. Të mendojmë për nesër dhe për të tjerët që do vijnë pas nesh, jo thjesht për veten tonë. Po, mund të jemi egoistë, por vetëm për gjëra të vogla. Askush nuk është perfekt dhe as nuk pretendojmë se jemi. Duam thjesht të bëhemi më të mirë në një nivel njerëzor. Të bashkohemi atëherë kur duhet dhe të lemë hapësirat tona atëherë kur duhet. Jemi të gjithë bashkë dhe jemi të gjithë një, por secili ka vendin e vet. Bota ka shumë gjëra për të rregulluar dhe nuk po themi se do e rregullojmë ne të vetëm. Ne do të përpiqemi, po ju çfarë do të bëni?