JU PREZANTOJMË DJ ODA

Në skenën e muzikës elektronike mungon shumë prezenca e femrave. Si në vendin tonë ashtu edhe në skenën botërore, dallohet që shumica e DJ dhe Producentëve janë meshkuj. Sigurisht që lufta për barazinë gjinore po jep frytet e veta dhe gjithmonë e më shumë po shtohen femrat që mbushin club-et dhe arenat e festivaleve. Në Shqipëri dhe Kosovë, DJ femra mund të numërohen me gishtat e një dore. Një nga këto DJ është pikërisht Oda Haliti, e njohur thjesht si DJ Oda. Performanca e saj e radhës do të jetë në eventin #perplazhin_cocktails, të organizuar nga Telekom Electronic Beats për rritjen e vetëdijesimit e ndotjes së plazheve. Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që ajo ka performuar në Berghain (jo vetëm club-i më i njohur ne Berlin por në të gjithë botën). Oda jo vetëm që është një DJ shumë e mirë dhe e pëlqyer por është dhe një aktiviste për të drejtat e njeriut, gjë që e bënë njeriun më të përshtatshëm për kauzën tonë. Për ta njohur pak më mirë vendosëm që t’i bënim disa pyetje.

 

  1. Si nisi rrugëtimi yt drejt Dj-ing?

 

Muzika më ka përcjellë që në fëmijëri. Miksimi si DJ për publikun më të gjerë ka filluar diku në vitin 2010 në lokalin tim të parë të quajtur “Gegë”.

 

  1. Cili është ndryshimi i publikut të Tiranës me atë të Prishtinës?

 

Hmmm nuk mendoj që ka ndonjë ndryshim shumë të theksuar publiku i Tiranës me të Prishtinës.

Kohët e fundit sa më shumë ture po bëj në Evropë, kam filluar të shoh ngjashmëri të publikut tim kudo. Në përgjithësi është po e njëjta energji. Mendoj se publiku në këtë rast i “Muzikës Elektronike” është kulturë më vete kudo nëpër botë.

 

  1. Ti je dhe një aktiviste për të drejtat e njeriut, si lidhen DJ-ing dhe aktivizmi?

 

Muzika është medium shumë i fuqishëm. Me muzikë protestoj akoma  më shumë vitet e fundit.  Atë që dua të them, e them përmes muzikës. Publiku është më i madh, dhe natyrisht ndikimi është përherë më i madh.

Është shumë mirë të dish të përdorësh muzikën për çështje/problematika sociale të nevojshme.

Më pëlqen të provokoj me muzikë tema të ndjeshme. Lumturohem kur arrij të jap ndonjë mesazh të fuqishëm përmes ndonjë track-u të veçantë në një moment të caktuar. Pasurohem kur krijoj komunikim/lidhje të sinqertë me publikun përmes muzikës.

 

  1. Na trego për eksperiencën tënde në Berghain. A e krahason dot me ndonjë event tjetër?

Përfundimisht eksperienca në Berghain ngelet si eksperienca më speciale përgjatë gjithë udhëtimit të karrierës time muzikore deri tani.

Eventet i kam problem t’i ndaj, secili event është eksperiencë e bukur në vete.

Por ajo që më ka dhënë kënaqësi të paskajshme në Berghain, përtej stresit të madh që kam pasur, ka qenë “Sound System” i tyre. Nuk më ka ndodh më herët të shijoj më shumë se atë natë të luaj muzikë diku që dëgjohet muzika aq pastër, me aq kualitet.

Ishte kënaqësi e paharrueshme  të luaj në një skenë aq të rëndësishme si Berghain me zërim (fonia)  Function-One, para një publiku të madh, të dashur e mbështetës.

Për çdo muzikant zërimi(fonia) ka rol kryesor në performancë. Më vjen keq që tek ne akoma është problematike zërimi(fonia) nëpër ngjarje kulturore.

 

  1. Një mesazh për të gjitha femrat që aspirojnë të bëhen DJ?

 

Nëse të tjerët nuk ju marrin seriozisht si DJ femër, ju merruni sinqerisht e seriozisht me muzikën tuaj!

Gjinia është likuid. Ashtu sikur se është miksimi në muzikë.

 

Ju presim në datë 28 korrik në Jal, për kauzën e radhës të #KETAJEMINE. Do të pastrojmë plazhin për një natyrë më të pastër dhe do të festojmë me Telekom Electronic Beats, Vlashent Sata dhe DJ Oda. https://bit.ly/2OgLnqe