KACHINARI, ARTISTI MË PREMTUES I MOMENTIT!

Në prag të një prej eventeve më të mëdha të kryeqytetit, Colour Day Festival, në partneritet me Telekom Electronic Beats, patëm kënaqësinë të bisedonim me një prej artistëve më premtues të momentit, Kachinarin.

Si filloi pasioni yt për muzikën?

Nuk mund ta them me siguri se kur. Besoj, që më shumë u gjenda në muzikë. Unë jam rritur në një familje, për të cilën muzika ka qenë një influencë e madhe. Kam filluar të prek instrumenta muzikorë në moshën 2-3 vjeçare. Megjithatë, fiksimi im ka qenë bateria. (më saktë, gjithçka filloi me tenxhere dhe tiganë).

Në këtë drejtim familja ime ka shërbyer si një orientim, jo imponim.

Sa instrumenta mund të luash?

Instrumentat janë pasioni im dhe mund të luaj pothuajse gjithçka, çdo instrument me tela, instrumentat perkusivë, bateri, piano, etj.

Dukshëm, muzika është pasioni yt, por kur mendon që fillove të bësh hapat e parë drejt një karriere në këtë drejtim?

The Voice shërbeu si shtysa e parë. Deri në atë moment nuk e kisha marrë shumë seriozisht të bërit karrierë në art. Ndërkohë, gjendesha mes muzikës dhe futbollit, por që pas Blind Audition të The Voice, e nesërmja nuk ishte më njësoj. Dhe kjo ndodhi kur unë isha 17 vjeç.

Cilit zhanër muzikor i përket krijimtaria jote nëse mund të kategorizohet?

Rock me shumë e shumë nuanca. Mua më pëlqen shumë, krahas rock e hard rock, muzika e Abba, Presley, Bee Gees, Sinatra e deri tek Britney Spears apo Rita Ora. Megjithatë, kur bëhet fjalë për të krijuar, jam më shumë i orientuar drejt rock. Marr ngacmime nga shumë nuanca jashtë rock që influencojnë punën time. Nuk do të etiketoja krijimtarinë time, por nëse do më duhej, le të themi rock.

Nga çfarë frymëzohesh Gjergj dhe si ndodh proçesi krijues për ty?

Nuk besoj te frymëzimi. Besoj më shumë tek stimulimi i diçkaje deri sa më në fund të ndodhë. Sigurisht që edhe mund të ndodhë ndonjë moment iluminimi, por jo në kushte krejt të rëndomta.

Kur dua të shkruaj një këngë apo të bëj një orkestrim që kërkon ekspertizë teknike më nevojiten shumë orë punë dhe punë mekanike, por nëse flitet për krijim të ndonjë bulze, ajo s’ka kohë apo vend.

Cilët janë muzikantët, instrumentistët apo bandat e tua të preferuara?

Mund të ishte viti 2002-2003, kur pashë për herë të parë Metallica në TV. Nuk i njihja. Pashë një performancë shumë të bukur dhe njerëz pafund që e shijonin. Ai ishte momenti që kuptova se doja të bëja të njejtën gjë. Metallica vazhdon të jetë grupi im i preferuar.

Bon Jovi më ka mësuar si të bëj muzikë, si të orkestroj, si të ndërtoj një këngë dhe si të krijoj një refren të fuqishëm.

Më pas ka plot krijues, këngëtarë apo instrumentistë fantastikë, nga të cilët kam marrë e mësuar shumë.

Si je me emocionet përpara performancave pas kaq kohësh?

Besoj për këdo që performon, ekziston një ndjenjë pasigurie në lidhje me pritshmëritë për performancën. Ka patur raste, kur pritshmëritë e mia kanë qenë modeste dhe në fund ka rezultuar të jetë e kundërta. Mund të ketë ndodhur dhe e anasjellta.

Nuk mund të shmangen as rastet kur ndodh që për ndonjë arsye (shëndetësore) të mos ndihesh mirë por gjithmonë mundohem të manovroj e të jap gjithçka si edhe përpiqem ta trajtoj performancën si të jetë e fundit.

Cilat kanë qenë sfidat, me të cilat je përballur gjatë krijimit të artit tënd?

Gjatë formimit tim në fushën e artit jam përballur me një lloj paragjykimi të pabazë në lidhje me emrin e babait tim. Për këtë arsye edhe publikimet e punëve të mia i kam bërë në mënyrë shumë të shpejtë dhe të pavarur nga kjo vëmendje.

Nga ana tjetër, të qëndrosh tek ky lloj stili muzikor, siç po bëj, është paksa penalizues në tregun tonë.

Për sa i përket performancave live, kërkoj të dal me një bandë të plotë e të ofroj diçka që nuk e shohim kudo e jo gjithnjë është çfarë kërkohet.

Gjergj, je ndër të paktët artistë që në një moshë kaq të re dhe me një stil kaq të veçantë, po nxjerr në treg krijimet e tua. A mund të na thuash diçka për to?

Deri tani kam realizuar tre këngë të plota me klipet përkatëse dhe kam përfunduar një përpunim të këngës së parë, Sweet Cruelty. Dy të tjerat pasuese janë Over You dhe Another Day. Të treja janë realizuar brenda një viti, por ka qenë e vështirë pasi nuk kisha bërë kurrë klipe më parë.
Jam munduar të punoj me to në veçanti për t’u dhënë kohën e duhur për t’u promovuar. Jam i mendimit që muzika duhet dëgjuar, por edhe parë.

Kënga e fundit, Another Day ka mjaft nuanca jazz, edhe pse nuk vihen re në plan të parë. Orkestrimi është i ndryshëm nga gjithçka që kam bërë më parë dhe nuk e kam ditur si do të dilte deri në momentin që u finalizua. Nuk e di se çfarë do të krijoj në vazhdimësi, por mund të them me siguri që kjo këngë është një moment kyç i krijimtarisë sime.

Mendon se ke arritur gjithçka kishe menduar se do të arrije në këtë pikë?

E kam ditur çfarë doja të bëja, por nuk e mendoja dot kurrë se çfarë drejtimi do të merrte karriera ime.

Përshembull, diçka që nuk ma kishte marrë dot mendja janë katër koncertet që kam bërë me Phil X, kitaristin e Bon Jovi, me të cilin parvjet kam performuar tre herë në Gjermani dhe Slloveni. Në koncertin më të fundit në Gjermani, kam luajtur përkrahë pjesëtarëve të grupeve të mia të preferuara si Pantera, System of a Down, Alice in Chains, Whitesnake apo Mötley Crüe, apo kur luajta në Romë këngën legjendare “Africa” me vetë TOTO.

Këto arritje kanë qenë jashtë pritshmërive, nuk ke si i planifikon, por, duhet gjithmonë të jesh i përgatitur për gjithçka që mos të lësh asgjë të të shpëtojë nga duart.

Së shpejti do të performosh në Colour Day Festival. Do të kemi kënaqësinë të shijojmë performancën tënde atje. Si ndihesh?

Ndihem mirë pasi kur mora ftesën mësova që performanca ime do të ishte pjesë e një mozaiku të tërë rrymash por e vetmja rock.

Kam për të sjellë patjetër këngët e mia dhe pse jo, ndonjë cover. Jam veçanërisht i emocionuar, duke qenë se Colour Day Festival bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe duke mos e ditur se çfarë të pres, apo se si do të jetë, sigurisht që më ngacmon pak.

Ku po performon së fundmi Gjergj dhe ku mund të të gjejmë?  

Unë po qarkulloj gjithnjë e më pak në live pasi më merr kohë nga krijimtaria ime. Përpos kësaj janë edhe disa vështirësi në treg, me të cilat nuk bëj dot kompromis. Po synoj festivalet dhe koncertet të tilla si Colour Day Festival.

Ndërkohë, jam fokusuar në performanca më intime, që edhe pse nuk kanë rezultate financiare, janë pikërisht ato që më shijojnë më shumë.

Çfarë mesazhi do t’u jepje të gjithë të rinjve që po përpiqen të krijojnë artin e tyre?

Trendet ndryshojnë dita-ditës. Megjithatë, këngët e bëra mirë nuk do të shuhen kurrë dhe do të jenë pikërisht ato që duhet të përcaktojnë trendet. Nëse jeni vërtetë artistë, mos lini tregun t’ju udhëheqë. Bëni atë që dini të bëni më mirë dhe që ju bën të ndiheni mirë.