KOKË MË KOKË ME DJ BOOCKY

Endri Buka është një nga ata djem, për të cilin mendon se është i ri në skenë, për shkak të energjisë që përcjell dhe stilit gjithmone të freskët. Ama, ai ka plot 18 vite që është prezent në jetën muzikore shqiptare si DJ dhe prej shumë kohësh tashmë si producent muzikor. Në jetën e DJ Boocky, kryefjala ka qenë gjithmonë muzika! Ndaj vetëm pak orë larg festivalit më të diskutuar të momentit, ai merr pak kohë për të na treguar rreth kësaj jete, e cila është po aq e mbushur me ngjyra dhe melodi, sa dhe seti që do luajë gjatë Colour Day Festival.

Si ka lindur historia jote me muzikën? A ishte dashuri me “vesh’ të parë”, apo një ndjenjë që u kultivua me kalimin e kohës?

Ka qenë tamam dashuri me vesh të parë. Besoj rreth moshës 9-10 vjeçare kam kujtimet e para teksa dëgjoja gjithë diten kaseta, radio dhe kanalin muzikor gjerman VIVA. Më pas u futa në kurs për kitarë, kurs i cili zgjati afërsisht 3 vite, dhe rreth vitit 2000 fillova punën e parë si DJ në një nga diskot e njohura të asaj kohe.

Ke ndonjë DJ idhull me të cilin ke patur mundësinë të luash muzikë?

Idhulli im për disa vite ka qenë DJ Roog, një DJ dhe producent hollandez, me të cilin kam luajtur tre herë. Por, gjithashtu kam patur fatin të luaj edhe krah DJ-ve superstar si: Afrojack, Fedde Le Grand, Axwell apo Roger Sanchez.

Na trego pak rreth mënyrës se si e përgatit një set.

Zakonisht setin e përgatis në bazë të ambientit, ku jam i ftuar. Unë jam DJ që ftohem si në lounge bars edhe në klube muzikore, kështu që gjithmonë mundohem të përshtatem me ambientin, por brenda stilit dhe shijes sime.

Cili ka qenë koncerti më i bukur, ku ke luajtur deri tani?

Një nga eventet më të mira ku kam marrë pjesë është padyshim nata me Axwell. Atmosferë fantastike, përgatitje me shumë nivel, dhe njerëzit super të karikuar.

Cili ka qenë festivali më i bukur ku ke marrë pjesë deri tani?

Nëse flasim për eventet në vendin tonë, festivali i vetëm që shkoj me kënaqësi dhe që ka krijuar një standard të caktuar si nga ana menaxheriale ashtu dhe nga ana artistike është Turtle Fest. Në koncerte të tjera nuk para shkoj.

Përpos të qenurit një DJ shumë i mirë, nuk mund të anashkalojmë faktin që ti je dhe një djalë tepër i pashëm. Si e ke marrëdhënien me “fanset” dhe a të kushtëzon karriera si DJ për të patur një jetë personale?

Nuk më kushtëzon aspak. Perveç profesionit të DJ gjatë fundjavës, unë jam dhe producent muzikor dhe pjesën më të madhe të ditës e kaloj duke punuar në studion time. Gjithashtu, nuk lë pas dore dhe aktivitetin fizik në palestër apo vrapin nga liqeni. Kështu që mundohem të bëj një jetë shumë të rregullt dhe pa abuzime

A je bërë gati për Colour Day festival? Çfarë do presim nesër nga ti?

Më bëhet qejfi që jam pjesë e këtij eventi madhështor dhe po e pres me shumë kënaqësi datën 12 Maj. Kam përgatitur një set plot ngjyra dhe melodi, ashtu siç do jetë dhe vetë festa. Kështu që për më tepër shihemi atje!