Sado puritanë ta mbajmë veten, ose sado të na kenë ardhur në majë të hundës të dalat, do gjendemi në një moment të gjithë në të njejtën situatë: do të duam të dalim për “një” gotë. Sigurisht ky artikull nuk është për ata të regjurit e jetës së natës, ju i dini mirë rregullat. Ndërsa për ju të tjerët, puritanët, e lexuat shumë mirë: ka rregulla. Mund të mendoni “ça rregullash, unë një birrë do pi”, por nëse do donit thjesht një birrë, do ta pinit: a) te lokali i lagjes; b) te uni ose çdo hapësirë publike; c) në shtëpi. Nëse doni që të pini në lokalet “fancy” të Bllokut apo të zonave të tjera që po i zënë vendin Bllokut, ka disa etapa konkrete që duhet të kaloni.
Të sqarojmë një detaj të fundit, ky artikull vlen më shumë për çunat të cilët dalin të pashoqëruar sesa për gocat. Në këtë rast, për ju gocat ka një lloj seksizmi pozitiv, por do të gjeni disa nga pikat e mëposhtme interesante të cilat mund të bëjnë diferencën midis të ulurit në një tavolinë afër tualetit dhe një tavoline në qendër të lokalit. (me lokal nënkuptojmë të gjitha format si: pub, lounge, club, etj. etj.)
- Bodyguard-i/ët. Normalisht është aty që të sigurojë qetësinë e lokalit, duke ndërhyrë kur dikush ka pirë disa shots-a më shumë se ç’duhet dhe po shqetëson qetësinë e klientëve të tjerë. Por nuk duhet të harrojmë që edhe bodyguard-i njeri është dhe njerëzit duan vëmendje! Atij i është dhënë detyra hyjnore që mos të lejojë njerëz “të këqinj” të futen në lokal. Nëse nuk jeni si “prerja” e bodyguard-it, për të konsideroheni një nga këta njerëz. Gjëja e parë që duhet të keni parasysh është të pranoni ekzistencën e tij dhe ta përshëndesni. Ata nuk janë mësuar me dikë që nuk njohin t’ju flasë dhe kështu e kapni të papërgatitur. Do të dalloni sesi hutimi do të pushtojë shprehinë e fytyrës së tij. Që të siguroheni që kjo teknikë do të funksionojë, si dhe për t’i dhënë goditjen finale, pyeteni: A mund të futemi? Në 90% të rasteve do të thotë po, pasi në kokën e tyre janë duke menduar “qenka rob zoti ky”.
- Face Control. Varet se ku po shkoni. Ka vende ku ka face control dhe ka vende të tjera ku kjo detyrë bëhet nga vetë bodyguard-i. Zakonisht vendet që punësojnë një face control e kanë pasi bodyguard-i nuk di fare të bëjë diferencim klientësh. Lejon të futen vetëm shokët dhe prerjet e veta duke cënuar në këtë mënyrë imazhin e lokalit. MOS HARRONI! Është shumë e rëndësishme të mos tejkaloni pikën 1: flitini bodyguard-it. Por duhet edhe të dini se face control ju ka vënë re që po drejtoheni drejt lokalit dhe i ka thënë bodyguard-it t’ju lejojë të hyni, ose jo. Pa merak, gjithmonë mjafton të gjeni gjuhën e duhur, pra të flsini si njerëz dhe jo sikur keni çliruar Tiranën (pasi të gjithë e dimë që nuk e keni bërë këtë gjë). Nuk ka nevojë të indinjoheni shumë dhe mos e jepni veten, mjafton vetëm t’i thoni se një gotë do të pini dhe nuk do të rrini shumë (gënjeshtra, gënjeshtra gjithandej). Sekreti është të tregoheni sa më të paprekshëm nga ajo situatë e pakëndshme që krijohet te hyrja e lokalit.
- PR/Hostess. Sigurisht që një PR dhe një host ose hostess kanë diferencë, por me sa kam vënë re në Tiranë, secili bën pak nga të gjitha. Këtu duhet të bëni pak më kujdes se me dy personazhet e mëparshme. Zakonisht një PR e bën këtë punë për ndonjë lekë plus (dhe për të pirë falas por kjo është një tjetër histori) dhe nuk para do t’ia dijë se kush jeni nëse nuk ju njeh personalisht. E thënë kjo, duhet të bëni kujdes me mënyrën sesi i flisni. Nëse tregoheni arrogant, kanë për t’ju thënë se të gjitha tavolinat janë të rezervuara, do t’ju ulin në ndonjë cep të humbur të lokalit edhe sikur ju të jeni të vetmit klientë aty. Ankohuni sa të doni, një PR ose Hostess, edhe nëse hiqet nga puna, nuk i bën fare përshtypje për arsyet e lartpërmendura. Nuk e ka problem t’ju acarojë aq shumë nga nervat sa të doni të largoheni nga lokali. Madje nëse bërtisni “Do ikim fare!” aty do të shihni buzëqeshjen e tij/saj të vërtetë pasi deri atëherë keni parë atë falso. E kundërta ndodh nëse silleni mirë dhe me edukatë. Nga ku donte t’ju ulte te tavolinat afër tualetit, mund të heqë një rezervim të vërtetë për t’jua liruar ju. Madje mund edhe t’ju qerasë me ndonjë shots më vonë. Nëse jeni tipa banaku, thuajeni që në fillim dhe nuk do të keni më kontakt me të.
- Kamarieri. Ai/ajo që bën këtë punë, nuk e bën sepse ka një thirrje hyjnore që të shërbejë, e bën për atë rrogën që do marrë dhe për bakshishin e klientëve. Mos harroni se ai është i ngarkuar për porosinë tuaj, që përkthehet në: shpejtësi për ta porositur në banak, të ndenjurit mbi kokë banakierit deri sa të bëjë porosinë dhe ta sjellë te tavolina juaj. Kjo këshillë varet nga sa keni ndërmend të rrini. Nëse jeni thjesht për një gotë, nuk ia vlen. Nëse vendosni të rrini aty, ndiqeni. Pasi ju vjen porosia e parë, kërkoni që ta paguani në moment dhe lini një bakshish të mirë. Përgjatë gjithë kohës që do të rrini në lokal, kamarieri nuk ka për t’ju lënë pas dore. E vetmja kleçkë është se kur të paguani sërish, për të ikur kësaj here, do duhet të lini sërish bakshish. Nëse nuk e lini, kamarieri nuk ju harron dhe rradhës tjetër që do të shkoni në po të njëjtin lokal, i njëjti kamarier, nuk do të sillet fare mirë me ju (me shumë të drejtë po ta mendoni thellë dhe të vendoseni në vend të tij).
- Banakieri. Kjo vlen vetëm kur jeni të ulur në banak. E njëjta gjë si me kamarierin, mjafton të lini një bakshish te porosia e parë. E mira e të ulurit në banak është se e shihni banakierin si po e përgatit long drink-un ose cocktail-in tuaj. Nëse lini bakshishin, mund t’i hedhë pak më shumë alkool gotës dhe ta bëjë më me kujdes (madje mund ta shihni se si acarohet me kamarierin që i kërkon një porosi ndërkohë që po bën porosinë tuaj). Plus që nëse shihni ndonjë gocë të bukur në banak që doni të qerasni, banakieri jua bën shumë më të thjesht kontaktin e parë. Goca, mos u ofendoni pasi siç ka thënë Gomari te filmi Shrek: Bjeri mor qylit!
Nëse po mendoni ku e lamë menaxherin, nuk ia vlen të përmendet. Nëse nuk e njihni personalisht, nuk keni për ta takuar kurrë. Pasi i thamë të gjitha këto, ju urojmë që të kaloni mbrëmje sa më të këndshme. Bëni kujdes me alkoolin dhe mos i jepni makinës nën efektin e tij!