MIRË QË DO SHKOJMË NË COLOUR DAY FESTIVAL, POR ÇFARË DO VESHIM?
Të gjesh veshjen e duhur për një festival muzikor nuk është shkencë, por ka një fije të hollë, e cila ndan veshjen #cool nga #çfarëtëkapidoranëdollap meqë “kemi rast.” Mos harroni, fjalët kyçe janë dy: me stil dhe praktike!
Duke u nisur nga pyetja më e klikuar në faqen zyrtare të Colour Day Festival, pikërisht “A ka një kod veshje”, më poshtë ju listojmë disa nga “rregullat” e pashkruara për këtë event dhe jo vetëm… Ju kujtojmë që vera është pranë dhe Telekom Electronic Beats tashmë e ka bërë gati programin e festave, ku nuk do mungoni dot edhe sikur të doni.
Si fillim, jo! Nuk ka një kod për veshjen! Ama, sugjerohen që të mos vishen rroba të bardha, me qëllim që ngjyrimi të mos jetë shumë i dukshëm. Me siguri po vrisni mendjen nëse nuk ta ka hedhur akoma mami atë bluzën e vjetër që nuk ta ka bërë kurrë zemra ta heqësh nga dollapi. Sërish, jo! Nuk ke përse të vishesh me rroba të vjetra, përkundrazi, ju sugjerojmë të mbani T-shirt-in tuaj të preferuar, sepse pluhuri mund të hiqet me një të shkundur para se të lahet.
Rregulli #1
Ruaj stilin tënd.
Nuk është festë me temë, kështu që mos u vishni si në ndonjë festë me kostume! Por, nëse doni të jeni në të njejtin hap me festivalet e tjera në botë, mund t’u shtoni veshjeve tuaja disa detaje bohemiane, rock & roll ose diçka të viteve 60’. Pra, mos bëni kompromise, thjesht shtyjini pak limitet e stilit tuaj personal.
Rregulli #2
Gjej një element përcaktues.
Nëse e planifikoni shumë veshjen, atëherë do kuptohet edhe nga të tjerët. Natyrshmëria është veshja më e bukur, ajo që ju rri më mirë me personalitetin. Por, nëse gjen një element #trendy i cili ju përcakton, karakterizon, ai detaji unik që ju përket vetëm ju, keni në dorë çelësin për një pamje të shkujdesur dhe njëkohësisht #cool. Për shembull, xhinse të shkurtra, sandale me lidhëse dhe një xhaketë! Xhinset janë të rehatshme, xhaketa duhet në rast se festa juaj zgjat 12 orë dhe sandalet me lidhëse i japin detajin bohemian veshjes.
Rregulli #3
Ji vetvetja.
Të gjithë përhumbemi, duke parë foto të blogerëve dhe modeleve në Instagram. Por, “vjedhja” e një stili tjetër, vetëm sepse duket bukur në trupin, sfondin dhe me filtrat e dikujt tjetër, është një zgjedhje tepër e gabuar! Për shembull, dihet që ky vit karakterizohet nga veshjet me stilin e viteve ’90, kështu që gjej një bluzë e cila të shkon me tipin, #vintage në dukje dhe mbi të gjitha është e rehatshme. Kështu i bëni bashkë të tre elementët kryesore tak-fak.
Rregulli #4
Sa më pak, aq më shumë.
E dimë që kimono ju shkon tepër! Edhe që lulet në kokë janë shumë Lana Del Rey bashkuar me Primaverën e Botticellit. Po, edhe ajo bluza me thekë ka dalë në modë që vjet e nuk ka ndërmend të ikë. Por, nuk i vesh dot të gjitha në një ditë të vetme! Zgjidh dhe lër diçka për festën e rradhës, sepse do të vijë më shpejt nga sa ta pret mendja!