MIRËUPAFSHIM IRONBRUSH!

Mbrëmja e së shtunës solli shumë evente tek të cilat donim të ishim të pranishëm, por nuk mund të mos zgjidhnim pikërisht atë që i dha festën e fundit një prej vendeve më alternative në qytet!

Vila Ironbrush nisi si vendi ku mund të bëjë tatuazhet nga i famshmi dhe i vetmi Klodian Luca [do na vrasë që përdorëm emrin e plotë!], mandej funksionet e saj u shtuan që nga festat e vogla e deri tek ekspozitat, të enjtet e filmave, apo mbrëmjet me muzikë live, të cilat përgjatë këtyre viteve kanë mëbshtetur artistë të njohur e të rinj [tek Vila Ironbrush zbuluam gocat e P.M.S. përshembull].

Ndaj, nuk përbën çudi që të shtunën e fundit, të gjitha ironistat e qytetit u mblodhën për herë të fundit tek vila më e ngrohtë në Tiranë.

Muzika erdhi nga Renis Gjoka dhe Gjergj Kaçinari, kështu që kuptohet se repertori përfshiu disa breza metalarësh [nuk e dimë a përdoret akoma si emërtim, por jemi nostalgjikë dhe old school sot, dhe e ka fajin shiu!].

Për më tepër, nga ora 20.00 e deri në orën 02.00 të mëngjesit, të dyja katet dhe oborri i Vilës gumëzhinë nga të gjithë ata që e kanë frekuentuar atë me fanatizëm përgjatë viteve, apo sporadikisht në bazë të eventeve. Rëndësi ka që secili erdhi për të pirë gotën e fundit aty.

Ah po, pas orën 22.00 filluan shotsa nga shtëpia…dhe të gjithë e dimë se si përfundon kjo histori.

Përgjatë dy viteve, Vila Ironbrush ka sjellë [po citojmë] “muzikë të mirë dhe pije të lirë”.

Pa kërkuar shumë vëmendje, ajo ka dhënë kontributin e saj jo vetëm në muzikë, kinema dhe pikturë, por në vetë shijet dhe edukimin kulturor të qytetit, dhe për këtë do i jemi gjithmonë mirënjohës.

Tani, na mbetet veç të presim se cili do jetë stacioni i saj i rradhës dhe mbi të gjitha, të na ikë ky hangover-i që na ka mbetur që prej së shtunës!