NILSA HYSI: “SA HERË E PRANOJ QË MË PËLQEN KJO KENGË, HUMBAS NJË SHOK/SHOQE”

Disa e njohin Nilsën si një ndër vajzat e pakta [po të pakta fare] që këndojnë swing dhe jazz. Disa të tjerë e mbajnë mend si artistja më e veçantë e Festivalit të Këngës në RTSH tre vite më parë [Nilsa Hysi – Asaj]. Madje disa e ndjekin edhe në programin e saj në InTV “Life is Better with friends”. Por, të gjithë, absolutisht të gjithë ata që e ndjekin në rrjetet sociale e duan si një ndër vajzat më me humor dhe auto-ironi që njohim. Nilsa është inteligjente, karizmatike dhe e talentuar. Dhe teksa ecën me këmbë në tokë drejt rrugëtimit të saj artistik, ne vendosëm të mos i marrim një intervistë standarde. Sepse Nilsa është gjithçka përveçse një artiste standarde.

Këtë herë ajo na tregon pjesë nga karakteri i saj përmes muzikës që zgjedh [me dashje apo pa dashje] të dëgjojë në momente të zakonshme të jetës. Kot nuk thonë, më trego çfarë playlist-e ke, të të them se cili je!

Kënga që këndoje para pasqyrës kur ishe e vogël?

Kur isha e vogël, këndoja gjithmonë “Lozonjare” të Albërie Hadërgjonaj. Ishte si mjet identifikimi. Si mikrofon përdorja çdo send të përafërt: krehërin, rimelin e mamit, telekomandën dhe pecin e byrekut se më dukej si mikrofon me stativ.

Kënga që këndon kur bën dush?

Në dush këndoj gjithmonë Destiny’s Child – “Say My Name”. Nuk e di pse, nuk e di se si, thjesht kjo është e vemtja këngë që më vjen në mendje.

Kënga që dëgjon kur je me nerva?

Shpeshherë kur jam me nerva nuk dëgjoj muzikë, por Lilly Allen me “Fuck You është gjithmonë aty për të të qarë hallin.

Kënga që ia kushton ish të dashurit?

Adele – “Someone Like You“. Tallem. Ish të dashurit do i dedikoja videon [nuk është as kengë e mirëfilltë] e famshme “Why you always lying?” [versionin origjinal] të shoqëruar nga MC Hammer – “Can’t touch this”. Janë të pandashme.

Kënga që do i kushtoje vendit të parë të punës?

Vendi im i parë i punës meriton Aloe Blacc – “I need a dollar. Kaq.

Kënga që i kushton shkollës?

Shkolla është një periudhë e jetës që deshe – s’deshe, do e kalosh, kështu që kur mendoj shkollën më vijnë gjithmonë në mendje Pussycat Dolls – “I hate this part”.

Kënga që të kujton pushimet më të bukura verore?

Pushimet më të bukura verore janë ato të fëmijërisë me familjen, kur na zgjonte babi që në orën 7 të mëngjesit që të kapnim rrezet e para, merrnim çadrën e plazhit me vete dhe Jennifer Lopez – “Let’s Get Loud e dëgjoje në çdo lokal të mundshëm.

Kënga që të bën të qeshësh?

Xhoana” – Akrepi është perlë mbi perla. Kujt nuk i vjen për të qeshur me Xhoanën nuk është Shqiptar!

Kënga që të bën të qash?

Alban Skënderaj – “Mirësevjen në Shpirtin Tim”, më bën për të qarë çdo herë të vetme që e dëgjoj. Çdo herë. E theksoj, ÇDO HERË! Kur kam nevojë të qaj, por nuk kam arsye të fortë, klikoj Albanin në Youtube edhe ja…

Kënga me të cilën të zë gjumi?

Sandcastles” – Beyonce është këngë që të vë në gjumë në çdo moment, në çdo vend. Të shkëput nga ajo që po ndodh përreth.

Kënga që nuk të mërzitet kurrë?

Një nga këngët e shumta që nuk më mërziten kurrë është Ray Charles – “I got a woman”. Praktikisht kjo kënga na vërteton që edhe në ato kohëra kanë ekzistuar sugarmama-t.

Kënga për të cilën vdes fare po të vjen zor ta pranosh?

Andi Shkoza – “Në errësirën e natës”…  Sa herë e pranoj që më pëlqen kjo kengë, humbas një shok/shoqe.

Kënga më e mbivlerësuar sipas teje?

Ed Sheeran – “Shape of You”. Është e mbivlerësuar sepse përveç faktit që ka shumë e shumë këngë të tjera nga artistë të tjerë që mund të merrnin popullaritetin e saj, edhe vetë Sheeran ka këngë që janë realisht më të bukura se “Shape of You”.

Kënga që po dëgjon tani që po shkruan përgjigjet e intervistës?

Tani po dëgjoj një ndër grupet e mia të preferuara, Sofi Tukker – “Hey Lion. Janë fantastikë! Të gjitha këngët i kanë fantastike. Shpresoj shumë që një ditë të vijnë në Shqipëri.