PA PUSHIME? PA PROBLEM!

Me ardhjen e korrikut të gjithë pësuam një “reality check”, atë momentin kur kuptojmë që në të vërtetë iku muaji i parë gjatë së cilit duhet të kishim nisur pushimet e mirëfillta apo fundjavat e gjata buzë detit. Por, ka dhe nga ata të cilët vetëm mund t’i ëndërrojnë javët e qeta pa asnjë shqetësim, ku problemi më i madh i ditës është “Do marrim birra apo cocktails?”.

Qoftë për faj të motit, i cili i ”ndëshkoi” ata që pushimet e tyre i kishin planifikuar në qershor t’i kalonin të mbyllur në shtëpi. Qoftë për shkak se keni nisur një punë të re dhe nuk ju japin ende më shumë se 4 ditë leje gjatë verës. Qoftë edhe për shkak se ju lodh jugu plot zhurmë apo veriu tashmë i mbipopulluar gjatë sezonit. Sido të jetë historia juaj, ne jua qajmë hallin [shumë madje], ndaj me ndihmën e Albanian Mountain Team përpiluam këtë listë me vendet të cilat mund t’i vizitoni gjatë fundjavave verore.

 

PS: Nëse argumentet nuk do ju bindin, jemi të sigurt që fotografitë do ju lënë pa fjalë.

 

Liqeni i Bovillës

Liqeni i Bovillës

Liqeni i Bovillës është një perlë e vërtetë, shumë pranë Tiranës, e cila ofron më tepër se sa ujë të pastër dhe pamje të mrekullueshme. Në rrethinat e saj ndodhen dhe shumë pika të cilat mund të vizitohen në bazë të natyrës tuaj: sa më shumë të pëlqeni eksplorimet aq më mirë!

Një prej tyre është Mali i Gamtit, nga ku do të keni mundësinë të shijoni jo vetëm natyrën e bukur dhe ajrin e freskët, por edhe pamjen e mrekullueshme të liqenit të Bovillës.

Kanioni i lumit Zezë është një nga kanionet më interesante të zonës së Fushë-Krujës. Ai ndodhet pranë fshatit Nikël dhe fundi i tij çon në rezervuarin e Bovillës. Përgjatë kanionit do mund të shihni 2 ura otomane të shekullit të XVII-te.

Krraba

Fshati i Krrabës ndodhet vetëm 2 orë larg Tiranës, dhe është ende një ndër vendet më të veçanta ku shumë pak eksplorues shkojnë të vizitojnë. Nëse ju jeni një prej atyre që do kalojnë fundjavën pranë tij, mos lini pa vizituar Grykën e Murdharit, pasi nuk ofron vetëm pamje shumë të bukur, por dhe mund të laheni tek uji i tij i kaltër. Syri i Ciklopit ose Hudhra e Zezë është gjithashtu një must, dhe do na besoni vetëm pasi ta keni vizituar vetë këtë mrekulli të vogël të natyrës.

Shpella e Mbytjes, Krrabë.

Për më kureshtarët, në Krrabë ndodhet edhe Shpella e Mbytjes e cila dallon për një bukuri të rrallë, por jo vetëm kaq. Aty do mund të shihni stalaktitet dhe stalagmitet të formuara për mijëra vite.

Lumi i Erzenit

Kanionet e Erzenit

Në Erzen gjeni gjithçka! Lum të gjatë me ujë të kristaltë, kanione apo shpella fantastike dhe përrallore, ku më e njohura është Shpella e Pëllumbasit [shih foton] e cila që prej ekskursioneve të gjimnazit mbetet njësoj mahnitëse.

Dhe e dini cila është pjesa më e bukur? Janë të përshtatshme për të gjithë, pavarësisht nëse jeni fizik atletik apo udhëtarë të eksperiencës më shumë se të trupit.

Shpella e Pëllumbasit, Erzen.

Këto janë vetëm disa nga vendet tepër pranë Tiranës ku mund të kaloni fundjava plot aventurë dhe eksplorim. Shqipëria është e mbushur me vende të paimagjinueshme që presin për t’u vizituar, që nga Banjat Termale apo Kanioni i Langaricës në Përmet, ujëvara e Kanionit të Nivicës në Tepelenë, e shumë mrekulli të tjera ofrohen në çdo krahinë.

Ndaj këtë verë, shlodhu buzë një liqeni piktoresk ose ngjit malin më këmbë për të gjetur pamjet që të lënë pa frymë! Mos harroni, bëni sa më shumë foto dhe ndajini me ne për të shijuar dhe promovuar gjithçka natyra na ka dhuruar kaq bujarisht.

Banjat Termale, Përmet.

Kanioni i Langaricës, Përmet

 

Ujëvara e Nivicës, Tepelenë