Betim Jonuzi, i njohur nga të gjithë si Buta, është tashmë një emër solid në skenën muzikore, e sërish ka kaluar vetëm një vit nga dalja e albumit “Pranverë / Verë ‘17”, projekti që i dha jo vetëm famë, por dhe e renditi menjëherë në listën e artistëve më të kërkuar e klikuar.
E kotë të përmendim sërish reagimet e publikut gjatë Colour Day Festival, apo ovacionet sa herë performon në club-et e qytetit, në vazhdën e reperëve që flasin për realitete amerikane në tokë shqipe, Buta qëndron si djali i vogël i shtëpisë, përfaqësues i brezit të tij, jo i gjeneratave të mëparshme, apo i një brezi ambicioz e vanitoz.
Me fjalë të thjeshta e koncepte të prekshme, Buta është zëri i jetës së vërtetë të natës që nuk ka lidhje me shampanjë e xixa por ndjesi e kundërndjesi, dilema të brendshme e zgjidhje sipërfaqësore, luftë e përsiatje midis identitetit individual dhe trendeve të momentit.
Përtej skenës, ai është një ndër djemtë më inteligjentë që kemi njohur, punëtor dhe modest, i përqendruar në pasionin e tij dhe këmbëngulës ndaj lirisë artistike që e karakterizon.
Të tjerat, po citojmë, “Janë histori”.
PS: Përgjigjet janë në dialekt gegë, por ne nuk duam t’i redaktojmë e ndryshojmë asnjë fjalë.
PS 2: Intervistën ju këshillojmë ta shoqëroni me këtë kolonën zanore si më poshtë.
Është pak të thuhet që muzika jote revolucionarizoi standardin e vjetër të të bërit Hip-Hop në Kosovë e Shqipëri. Na trego pak si ka lindur stili yt autentik dhe sa ka ndryshuar ai deri tani?
Faleminderit, kompliment shumë i madh! Unë e shoh stilin tem si pasojë direkte e artistave që i kom dëgju. Un kom lind në 95-ën edhe jom rrit me Early 2000’s Hip – Hop; me Cam’ron, Lil Wayne, Gucci Mane, Young Jeezy etj. Si rrjedhojë, i jap tekstit rëndësi shumë, jo n’mënyrë teknike me metafora ose lojë fjalësh, po çka do që e thom duhet me qenë “Fly”. E sa i përket ndryshimit, stili jem është gjithmonë n’evoluim, se kom qef me eksperimentu shumë me sound-a, edhe mënyra t’reja. Po gjithmonë keni me ni llaf “Fly” pa marr parasysh stilit.
Tashmë jemi saktësisht një vit pas publikimit të “Pranverë/Verë ‘17”. Si e sheh albumin që të shpërbleu punën e shumë viteve?
Pranverë / Verë ‘17 ka qenë puna ose projekti jem ma i kompletum deri sot. E du shumë si projekt edhe jom shumë krenar që e kom bo, se t’gjitha kangët e projektet që i kom bo para tij, kanë qenë si prelude për at’ album. Plus, koha kur është shkru o’ kanë shume interesante; gjithë ato shpresa dhe andrra për karrierë e kan lu’ pjesën e vet për motivim edhe inspirim gjatë punimit. Me pak fjalë, e du shumë. Shumë shumë.
Që nga titulli, ky albumi i dytë dukej sikur premtonte një trend të momentit, por rezultati qe shumë më afatgjatë se kaq. E kishe parashikuar suksesin që vijoi?
Me thanë t’drejtën jo. Gjatë kohës t’inceptimit edhe krijimit t’albumit nuk kom pas shumë pritshmëri. Arsyja që kom vendos me bo ka o’ kan e thjeshtë: nuk kom pas asni’ projekt aq t’gjatë edhe kom desht’ me ju dhanë fansav t’atehershëm edhe t’ardhshëm ni projekt komplet. Para ksaj kom pas dy mini-albume ose EP “z. Ndjenja” edhe “Dr. Zhivago”, secila me 4 kangë n’vete. Edhe suksesi i Pranverë / Verë ‘17 o’ kanë ma shumë indirekt se sa direkt, nëse muj me thanë.
Nëse do bënim një case study të trajektores tënde të famës, do çorodisnim këdo. Nga një djalë i thjeshtë nga Ferizaj në anëtarin e “The Infamous Ham Squad” dhe gati brenda një viti nga një reper i ri drejt suksesit ndërkombëtar dhe trendsetter. Si mendon se ndodhi gjithçka dhe si ka ardhur ky ndryshim tek ti?
Edhe niher ni kompliment shumë i madh, po këtë herë s’muj m’e pranu. Nuk e kisha qujt suksesin tem ndërkombëtar edhe pse kom pas koncerte n’Europë e Amerikë. Sa për pjesën e trendsetter, atë po e marr, po me përulje.
Se qysh ka ndodh, mendoj që në themel është puna, konsistenca, edhe krijimtaria. Edhe pse nuk kom pasë pritshmëri, kom punu me parimin që me sjell diçka që munesh me kan krenar me to. T’tjerat janë histori.
A ka një anë tënden që mendon se ata që të ndjekin nuk e njohin?
Po ka, n’fakt shumë më shumë se njo’. Ajo që shfaqi n’sy t’publikut është veq maja e ajbergut. Pjesët e tjera janë t’rezervume për njerz’t që m’njohin personalisht.
A ka një ofertë për të cilën kushdo do kishte dhënë gjithçka, por ti e ke refuzuar?
Nuk e di a e kish pranu çdokush, po pas “Hashish Thaçit” çdo label muzikor i njohun n’Kosovë e Shqipëri m’ka thirr m’u bo pjesë e tyne, por nuk kom pranu për arsye t’ndryshme, nashta kryesorja për liri artistike.
Klipet e tua personale janë unike në llojin e tyre. Teksa tek ato në bashkëpunim je gati gjithmonë mbi një makinë të shpejtë. Stilistikë apo rastësi?
N’klipet që i boj vetë jam unë aj që është në krye t’drejtimit artistik t’videos, ndërsa në bashkëpunime, qysh munesh m’e imagjinu, kjo punë ndahet n’dysh. Ndodh edhe që jau lo n’dorë t’gjithë punën artistit tjetër, nëse kanga është e tij e unë jam veq mysafir. Sa për pjesën e makinës nuk e di çka t’thom. N’fakt as që e pas’na vrejt që n’çdo klip që është bashkëpunim është një skenë me makinë. Është rastësi.
A po punon për një album të ri? Si po e sheh një vit nga sot?
Po, me shumë entuziazëm. N’fakt albumi radhës – Vjeshtë / Dimër është përfundu niher, po nuk jom kan i knaq’t me projektin edhe kom vendos me bo t’gjithin prej fillimit. Jom pak perfeksionist edhe e kom si parim që çdo projekt duhet me qenë ma i mirë se i kalumi. Po qysh munet me ta marr’ menja, me bo diçka ma t’mire se Pranverë / Verë është sfidë n’vete. Po munesh m’e vu bast që ka m’ja arrit, veq duhet kohë. E sa për 1 vit prej tash, besoj e shpresoj ma lart. Sa ma lart.