PO SIKUR MUZIKA TEKNO DHE AJO ELEKTRO TË PËRFSHIHESHIN NË PROGRAMIN E MUZIKËS SË SHKOLLAVE?
Kush prej jush e mban mend që dikur në programin shkollor kemi patur të përfshirë lëndën e Muzikës? Domethënë, sigurisht që ju kujtohet që lënda e muzikës ekzistonte, por realisht çfarë mbani mend të keni mësuar?
Në Shqipëri, ndoshta siç mund të ketë ndodhur edhe në vende të tjera të botës, kemi mësuar vagullt mbi historitë e jetës së Mozart apo për faktin që Beethoven e shkruajti Simfoninë e 9-të teksa ishte i shurdhër. Të gjithë kishim një fletore pentagrami dhe mësonim (siç na pëlqen të themi) të “pikturonim” notat muzikore. Megjithatë kjo metodë nuk na ka ndihmuar të bëjmë sadopak apo të kuptojmë muzikën.
Përgjithësisht prirjet muzikore i atribuohen periudhës në të cilën jetojmë dhe kulturës në familje apo shoqëri. Për millennial-ët shqiptarë, të paktën, kjo ka funksionuar si mënyrë për të dëgjuar një rrymë apo një tjetër.
Jemi shumë dakord me faktin që brezat e rinj duhet të familjarizohen me muzikën klasike dhe emra si Mozart, Bethoven, Chopin apo Vivaldi, por duke konsideruar drejtimin që po marrin brezat dhe duke gjykuar nga tendenca e muzikës së konsumuar dhe preferuar me kalimin e kohës, familjariteti është gjithnjë e në rritje ndaj electronic dance music (EDM). Kështu që natyrshëm na vjen të pyesim: “Po sikur të përfshihej në programin e muzikës nëpër shkolla?”
Për të rinjtë sot, kjo është “muzika e tyre” dhe pasiviteti për të konsideruar mundësinë limiton angazhimin e nxënësve me diçka që në mënyrë të natyrshme është kthyer në interesin e tyre kryesor.
Programi i muzikës nëpër shkolla, nga ana tjetër, rrallë njeh ekzistencën e një muzike të tillë.
Muzika moderne në tentativë
Angazhimi serioz me EDM rave dhe post-rave është ende i paimagjinueshëm. Siç edhe e thamë më lart, madje edhe muzika klasike është larg realizimit nëpër programe shkollore të muzikës.
Me kalimin e kohës, fenomeni i diversitetit të nxënësve nëpër klasa, nuk po prek vetëm Shqipërinë, por çdo vend të botës. Si mundet një praktikë mësimore t’i përshtatet më shpejt një transformimi të caktuar kulturor?
Nëse stafet nëpër shkolla do t’i kushtonin më shumë rëndësi mësimdhënies në përshtatje me tendencat, një klasë muzike do të ishte vendi perfekt për të filluar. Muzika është një eksperiencë e cila ndeshet në të gjitha kulturat dhe klasat e muzikës janë vendi logjik ku diferenca dhe respekti mund të njihen dhe të festohen.
Të përhumbur prej muzikës
Të realizuarit të kësaj metode, në fakt, është i vështirë me stafet prezente në sistemet arsimore, pasi me kurrikulën e re do të duhej të implementohej një sistem tjetër mësimdhënie dhe të akordohej një buxhet për pajisje të tilla si kontrollues, dhe sisteme DJ.
Në mënyrë që klasat të mund të kthehen në një instrument të përdorshëm nga studentët për t’u dhënë jetë praktikave më të fundit në te njejtën linjë me tendencat më të reja. Madje do të duhej një grusht i mirë njerëzish të pasionuar pas muzikës tekno apo elektro, që të mund të shpërndahet fryma e duhur.
Nxënësit që angazhohen me dëshirë e dinë që dashuria është e vetmja mënyrë për ta bërë shkollën një ambient më familjar dhe mikpritës. Në këtë mënyrë do të krijohej infrastruktura e duhur për të eleminuar çfarëdolloj stereotipi.