Record Store Day filloi në vitin 2007 në Shtetet e Bashkuara si një eveniment me qëllim për të festuar dyqanet, etiketat dhe shpërndarësit e pavarur të Vinyl ose, sikurse i quajmë ne, pllakave të gramafonit. Që nga ai vit, “Record Store Day” është shndërruar në një event të shqendërzuar botëror, gjatë të cilit jo vetëm dyqanet apo njësitë e ndryshme të pavarura të industrisë së muzikës, por dhe etiketat e mëdha organizojnë aktivitete të shtunën e tretë të Prillit të çdo viti.
Ndikimi që ka patur kjo platformë në një kohë kaq të shkurtër ka qenë tepër i madh për industrinë, e cila ka parë një rritje progresive në prodhimin, ri-shtypjen dhe shitjen e formatit të Vinyl. Në vitin 2015 shitjet e pllakave arritën në nivelin më të lartë të regjistruar që prej vitit 1991, kohë kur formati ende ishte i preferuar. Shitjet vazhdojnë të jenë gjithnjë e në rritje nga ai moment.
Sipas Forbes Magazine, sot industria e Vinyl përbën 6% të konsumit të tregut muzikor. Edhe pse kjo shifër është shumë larg prej kohëve të arta të viteve 80’, përfaqëson një trend në rritje. Por përveç shifrave dhe tregut, ku qëndron në të vërtetë veçoria e pllakave dhe përse disa njerëz, siç është edhe rasti i shkruesit të këtij artikulli, zgjedhin të konsumojnë muzikë në këtë format?
Së pari, Vinyl është një format, i cili do t’i rezistojë çdo kohe për nga vetë veçoria e përbërësve materialë. Sot është i vetmi format me teknologji bazike, me anë të të cilit mund të dëgjojmë muzikë nga çdo epokë, pikërisht nga koha kur ajo është regjistruar dhe shtypur në pllakë. Kësisoj pllakat kanë jetuar më shumë se njerëzit që i prodhuan apo krijuan muzikën e tyre. Është një format i mrekullueshëm për të ruajtur trashëgiminë botërore të muzikës dhe për të mësuar mbi zhanre dhe artistë, të cilët nuk do të mund t’i zbulonim ndryshe.
Në bazë të koleksionimit të pllakave qëndron një marrëdhënie komplekse dashurie me muzikën. Një marrëdhënie e prekshme, një marrëdhënie, ku objekti muzikor (albumi) vlerësohet për më shumë cilësi, që nga koncepti i renditjes së këngëve e deri te punimi grafik, një marrëdhënie kurioze dhe që si çdo marrëdhënie tjetër cilësore me kohën vetëm përmirësohet.
Kjo është një marrëdhënie që fatkeqësisht në Tiranë ka qenë e vështirë të ndërtohet prej shumë kufizimeve, e megjithatë edhe ne po përdorim Record Store Day si platformë për të kthyer vëmendjen e publikut muzikë-dashës drejt formatit të Vinyl si zgjedhje e tyre e parë për konsumimin dhe përjetimin e muzikës.
Për të dytin vit radhazi Tulla Culture Center organizon në hapësirat e Pazarit të Ri një event, ku për 10 orë rresht DJ dhe koleksionistë vendas luajnë zhanre të ndryshme muzikore vetëm me pllaka. Këtë vit i ftuar special, mbështetur nga Telekom Electronic Beats do të jetë Jim Sharp, DJ nga Mbretëria e Bashkuar, i cili njihet për remixet dhe editet e tij funk dhe breaks, por mbi të gjitha për koleksionin e pasur me Vinyl.
Krahë tij do të jenë Dj Goce dhe Dj Chvare, përpos The Funky Villainz, Erblin Bajko, Bedi Pejani, Tatu, Florian Canga e shumë të tjerë. Gjatë ditës pjesëmarrësit do të kenë mundësi të blejnë pllaka dhe të përzgjedhin nga një varietet i lartë muzikor. Tulla Culture Center ka për qëllim, që pas organizimit të këtij eventi e në vijim, t’i ketë dhënë kryeqytetit Record Shop-in që meriton për të gjithë ata që tashmë e kanë apo duan ta zhvillojnë këtë passion. Pra, ju presim te Pazari i Ri, të shtunën në datë 21 Prill prej orës 12:00 e deri në 22:00.