SOT ATA DO I JAPIN ZË NATYRËS SHQIPTARE, POR A I MBANI MEND FILLIMET E KËTYRE ARTISTËVE?
Pak orë na ndajnë nga një ndër eventet më të rralla në Shqipëri. ZâFest 2018 do sjellë që në natën e tij të parë tre nga artistët më të mirë që kemi: Ema Andrean, Vlashent Satën dhe Linda Rukajn. Ky event i mbështetur nga Telekom – Electronic Beats ndërthur mrekullinë e Bjeshkëve të Namuna dhe Lumit të Shalës me zërat më të fuqishëm që kemi.
Vërtetë ata sot janë etalonë të talentit dhe gjithmonë e më shumë po njohin sukses brenda dhe jashtë vendit, por ne u zgjuam pak nostalgjikë, ndaj duam të hedhim sytë drejt daljeve të tyre të para [me aq sa mbajmë mend] në skenë. E teksa i shohim në hapat e tyre të parë, nuk mund të mos ndiejmë se për ata që janë vërtetë të talentuar dhe punëtorë, nuk ka se si të mos u shkëlqejë edhe rruga drejt suksesit.
Ema Andrea
Ema Andrea njihet si femra më karizmatike që ka shkelur ndonjëherë skenën e vendit tonë. Që në fillesat e karrierës së saj, Ema nuk është ndalur kurrë, duke i prezantuar publikut shqiptar forma të reja të artit performues, e deri duke realizuar performanca të jashtëzakonshme me mesazhe shoqërore [Kush e ka parë shfaqjen që realizoi me femrat e burgut të Tiranës? Po lëvizjen e saj më të fundit në mediat sociale “I përkasim njëri-tjetrit”?].
Që në moshë shumë të re u prezantua me publikun në rolin e Anilës tek filmi “Një djalë dhe një vajzë” ku talenti i saj padyshim spikati në sytë e të gjithë publikut. Sot, Ema Andrea është një institucion i artit dhe mendimit të lirë. Ajo do jetë në ZâFest për t’i dhënë zë gojëdhënave dhe legjendave të paraardhësve tanë, dhe ne mezi po presim të dëgjojmë çfarë do sjellë në skenë.
Ah po, Sara ka trashëguar të njejtin shikim plot attitude apo jo?
Vlashent Sata
Pak kohë më parë Vlashenti publikoi në profilin e tij në Instagram një video kur ishte tepër i vogël. Ai ishte i ftuar në një program fëmijësh në Televizionin Shqiptar në moderimin e Ketrin Gjoçaj. Tepër i ndrojtur, por me sytë më shprehës që kemi parë ndonjëherë, Sata ishte padyshim një talent që pritej të lulëzonte. Me shqiptimin e qetë, letrar e të qartë që ende e karakterizon dhe qëndrimin e sjellshëm, ai duket si një djalë i vogël, por i pjekur dhe i vetëpërmbajtur.
Ne sot ama po zgjedhim një tjetër dalje të tij, tek Kënga Magjike e vitit 2013, sepse është një këngë tepër e bukur dhe ndoshta pak para kohës së saj. Pavarësisht se kanë kaluar disa vite, stili autentik i Vlashent Satës mbetet i njëjti, dhe është po ky stil që ai do sjellë sonte në ZâFest, jo vetëm si Drejtor Artistik i festivalit, por dhe si performues.
Linda Rukaj
Linda Rukaj është një ndër multi-instrumentistet dhe këngëtaret e rralla të rrymës jazz që kemi. E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në një ndër shkollat më të mira të muzikës jazz në Paris, IMEP College of Music, ndër degëzimet e Berklee College of Music, Linda dallon për talentin, karizmën dhe sensualitetin e saj. Ah po, luan dhe një kontrabas që është po aq sa vetë ajo në gjatësi, -instrument për të cilin duhet edhe forcë fizike përveç talentit.
Në fakt fillesat e saj Linda i ka pasur shumë ndryshe. Shumë ndoshta ende e mbajnë mend kur u prezantua në Top Fest 2008 me një grup të maskuar me veshje lepurushi dhe majmuni. Teksa presim Lindën sonte në ZâFest me muzikë në nuanca xhaz, ritëm, vokal unik dhe shumë energji pozitive, le ta shijojmë Lindën në Botën e Çudirave në këtë video gjatë periudhës kur ishte energjike dhe këndonte ‘Mina, Jona & Cola Cola”