TË GJITHA NGJYRAT E FATMËS

Në prag të festivalit më shumëngjyrësh të qytetit vendosëm t’ju sjellim një prej personazheve më shumëngjyrësh të ekranit. Ajo spikat për shkathtësinë, inteligjencën praktike dhe atletet komode – duke hedhur poshtë me shumë sportivitet imazhet e rënduara të ekranit shqiptar.

Fatma Methasani nuk ka fituar vetëm audiencën e njërës prej fashave më të lakmuara të televizonit, por mbi të gjitha, ajo ka rrëmbyer zemrat e të rinjve dhe të rriturve, që në daljen e saj të parë. Intervista është e qartë dhe e saktë, si vetë ajo. Ka dhe më shumë inserte me ? se çdo intervistë tjetër që kemi bërë!

Për pjesën më të madhe të shikuesve ti je Fatma e FunDay. Për ata që punojnë në botën e medias ti ke spikatur që para se të krijohej MadTv e mandej InTv. Na trego pak për eksperiencat e tua të mëparshme.

Unë e kam nisur në prapaksenë, duke punuar në produksione të televizionit Klan, madje gjithmonë kam menduar se di të bëj mirë pjesën pas kamerave. Kjo derisa, drejtuesit e asokohe të MadTV, më bindën për të kundërtën!

Shumë nga ata që të dëgjojnë teksa flet, me siguri mendojnë që je një vajzë e rritur me shpirt çapkën, kjo për shkak se ti je veçanërisht e artikuluar në raport me prezantueset e tjera [jo vetëm të moshës tënde]. Ke qenë gjithmonë kështu apo me kalimin e kohës krijove mënyrën tënde autentike të prezantimit?

Vdes për pyetjet që kanë një çikë kompliment brenda. Unë që në vegjëli preferoja më shumë të lexoja një libër sesa të bëja detyrat ?. Mendoj e kam nga leximi dhe nga fakti që vdes të flas ?.

Profili yt në rrjetet sociale është sa intim, aq edhe publik. Ti poston shumë nga jeta jote e përditshme, por njëkohësisht duket sikur askush nuk di asgjë për ty në nivel personal. Na trego pak si ke zgjedhur ta pozicionosh pikërisht privatësinë tënde në raport me rrjetet sociale dhe punën si prezantuese.

E kam shumë të shenjtë privatësinë sepse mendoj që nuk duhet të paguajnë prindërit apo jeta ime personale taksën e zgjedhjes sime për të qenë pjesë e medias. Pastaj, sa të kem programe dhe filtra që më rregullojnë fotot, për asgjë tjetër s’do ketë nevojë instagrami im!

Nje program i përditshëm për kaq shumë vite duhet të jetë angazhim i madh! Na trego pak rreth ditës tënde të zakonshme. A ndihesh ndonjëherë e kufizuar nga FunDay?

Kjo është e vërtetë, është angazhim prej të cilit shpesh herë më është dashur të heq dorë nga shumë aktivitete të tjera. Por, është bërë pjesë e imja dhe në krahasim me kënaqësinë që më jep, ngarkesa është diçka normale!

Që në sezonin e parë, ti ishe absolutisht zbulimi i InTv, por përgjatë këtyre viteve, pavarësisht suksesit personal, ti kurrë nuk u largove për një projekt tjetër. Përse?

Unë e kam thënë shpesh që InTv është dashuria ime e parë, dhe si njeri empatik që jam, e kam të vështirë ndarjen me të. Dhe në In jam vërtetë e lumtur, për shumë arsye. Unë nuk do të bëj asgjë në jetë që nuk më jep kënaqësi, mbase kjo është arsye që i qëndroj besnike!

Një ndër risitë e tua më të fundit është prezantimi i Colour Day Festival! Kishe dëgjuar më parë për këtë eveniment? Si po e pret?

Po, kisha dëgjuar dhe kisha parë shumë video për Colour Day Festival, ndaj kur mu propozua isha shumë entuziaste. Në fillim e përjetova me qejf… tani më duket sikur kam filluar të kem pak emocione. ?

Cilin artist mezi pret të dëgjosh duke performuar në skenë?

Duhet thënë që janë artistët më të mirë shqiptarë ata që do performojnë në Colour Fest, ndaj nuk di kë të zgjedh, por mund të them që di përmendësh këngën “Hatixhe” të Capital T, të cilën do e këndoj me patjetër!

Mesazhi yt për të gjithë ata që synojnë botën e medias, por nuk janë të sigurt se cilat hapa duhet të hedhin?

Gjithmonë e kam patur të vështirë filozofinë. Unë nuk kam ndjekur hapa të paramenduara apo ndonjë manual dhe mbase ky është çelësi. Ama, mund të them me bindje të plotë që e rëndësishme kudo dhe për këdo është t’i bëjnë gjërat me shumë dashuri.