Është e vështirë të mos e njohësh Vin Velin. Mund të mos jeni një njeri aktiv në jetën e natës po është e sigurt që diku do t’a keni dëgjuar. Në mos e keni dëgjuar do t’a keni parë diku, si në City Light-et e qytetit ose ndoshta edhe ne TV. Ai nuk është thjesht një DJ, por edhe një producent. Nuk ka shumë që ka nxjerrë një produksion të tijin me titullin “Te Amo” në bashkëpunim me këngëtaren spanjolle Cami. Nuk e keni dëgjuar akoma? Nuk ka problem është e sigurt që keni për t’a dëgjuar, si për shembull ditën e premte datë 15.06.2018, pasi është i ftuar në Telekom Lounge. Ai është gjithashtu një personazh shumë interesant dhe jo pak herë ka qenë protagonist i kronikave rozë. Për këtë arsye (për personazhin interesant, jo për kronikat rozë) ne vendosëm t’i bënim disa pyetje që t’a njohim pak më mirë.
Kush i ka influencuar më shumë shijet e tua muzikore?
Një ndikim të madh ka patur muzika klasike, dihet që ajo është baza e çdo muzike tjetër. Sigurisht pjesa tjetër është eksperienca 18 vjeçare e të dëgjuarit muzikë çdo ditë. Jo vetëm një zhanër të caktuar, pasi nuk mund të limitohesh në një treg që gjithmonë nxjerr diçka të re, por duke degjuar kultura të ndryshme muzikore!
Nëse do të kishe mundësinë të bëje një set back2back me një DJ, kë do të zgjidhje?
Një back 2 back me Tiesto! Është një legjendë e vërtetë, e pamohueshme në botën e DJ-ve. Pavarësisht se kohët ndryshojnë, ai mbetet një nga më të mirët! Ka vërtetë një emër të madh!
Kemi dëgjuar produksione të tuat në bashkëpunim dhe me këngëtarë të ndryshem Shqiptarë dhe të huaj. Çfarë të shijon më shumë, të krijosh muzikë apo të performosh përpara një publiku?
Të dyja më pëlqejnë shumë. E kam të vështirë të shkëputem nga performancat live pasi jam rritur duke luajtur muzikë. Gjithashtu edhe produksioni ka magjinë e vet. Më pëlqejnë të dyja sepse është perfekte për një DJ t’a ngrejë situatën me produktet e veta. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh njerëzit që jo vetëm e pëlqejnë muzikën tënde por i bën që të kërcejnë akoma dhe më shumë e të dalin nga vetja e tyre!
Si reagon kur dikush të vjen në DJ booth dhe ka një kërkesë muzikore?
Jemi mësuar tashmë dhe nuk më bën shumë përshtypje! Me zhvillimin e teknologjisë, nuk është e nevojshme të shkoni deri në DJ booth miq dhe mikesha, dërgoni një sms (qesh)(edhe ne qeshëm me thënë të drejtën, e dimë që ai mesazh do të injorohet).
Cili ka qenë eventi që nuk ke për t’a harruar kurrë?
Ka shumë evente por nuk dua të theksoj asnjë sepse do vijnë shumë më të mirë dhe më sexy! (Spoiler alert: për këtë po e ndihmojmë ne).
Kush janë tipat e njerëzve që të pëlqejnë më shumë në një party?
Tipat e njerëzve që më pëlqejnë më shumë janë ata që argëtohen pa patur nevojë të dërgojnë një listë një meter me tituj këngësh!
Vera është periudhë e ngarkuar për një DJ, aq më tepër për një DJ që është edhe producent, sa i vështirë bëhet menaxhimi i kohës?
Duhet punë dyfish! Sigurisht, të punosh në studio për projektet të reja do kohën e vet, por nuk duhet humbur ritmi nga update-imi me hitet e reja dhe rmx. Plus playlist-at që duhen përgatitur për të luajtur në një event! Kjo është vështirësia e një DJ/Producenti: menaxhimi i kohës në mënyrë të barabartë! Plus që dhe ndonjë kalçeto do e bëjmë, po edhe ndonjë gotë për relax do e pijmë. Dhe kështu kështu… (qesh)
Mundesh të na zbulosh projektin e rradhës?
Kam disa bashkëpunime por do t’ju zbuloj vetëm dy. I pari është me Alar Band. Kam një përshtypje se ky ka për t’u kthyer në një hit vere pasi është shumë ritmik dhe ka një tekst shumë të bukur në gjuhën shqipe! Ndërsa i dyti është një track ku kemi eksperimentuar pak. Mund t’a përkufizoj si deep electronic house me vokale tipike të kësaj rryme. Për të po bashkpunoj me producentin dhe mikun tim Vinsmoker!